E Diel, 1 Nëntor 2026

Konfindustria marrëveshje me “Brandner Gmbh”

20/03/2009  Buxhuku: Shqipëria rrezikon ngadalësim për integrimin në BE. Shkak barra mjedisore

Do të zbatohen standardet e BE-së për të rritur përgjegjshmërinë e industrive

Vendi ynë rrezikon të hyjë me vonesë në familjen e madhe evropiane. Shkak mund të jetë kriteri mjedisor, pasi rehabilitimi i dëmeve që janë shkaktuar deri tani në mjedis kërkon një faturë shumë të lartë ekonomike. Ka qenë Konfindustria, një prej grupimeve më të rëndësishme të biznesit në vend që ka ndërmarrë nismën për uljen e kostove mjedisore nëpërmjet një projekti strategjik për ngritjen e sistemit modern të menaxhimit të mbetjeve të ngurta të industrive dhe qytetarëve sipas standardeve të BE-së. Ky është thelbi i marrëveshjes që Konfindustria nënshkroi me kompaninë lider në industrinë e riciklimit në Austri e rajonin e Evropës Qendrore "Brandner Gmbh". Administratori i Përgjithshëm i Konfindustrisë, Gjergj Buxhuku, cilësoi dje se “Shqipëria duhet të paguajë në një periudhë të shkurtër me qindra e qindra milionë euro investime për përmirësimin e mjedisit, një barrë shumë e rëndë për ekonominë e vendit. Në të kundërt rrezikon qartë ngadalësimin e procesit të përfshirjes në Bashkimin Evropian”. Sipas Konfindustrisë, duke pasur parasysh gjendjen tepër të vështirë të sektorit në fjalë në Shqipëri vlerësohet, se do të duhen investime mjaft të mëdha prej qindra e qindra milionë eurosh dhe për më shumë që duhet të mobilizohen në një kohë të shkurtër nga industritë dhe shteti për përmirësimin dhe plotësimin e standardeve të detyrueshme mjedisore të BE-së për mbetjet e ngurta. “Kjo do të thotë, se nëse nuk merren sa më shpejt masa të gjithanshme për uljen e kostos së investimeve të domosdoshme për mjedisin nëpërmjet përmirësimit rrënjësor të ngritjes dhe menaxhimit modern të sistemit të riciklimit të mbetjeve do të rëndohet ndjeshëm zhvillimi ekonomik i vendit”, - nënvizoi në fjalën e tij Buxhuku. Qëllimi i ardhjes së kompanisë “Brantner Gmbh” Austri në vend është që të krijojë sistemin e plotë të menaxhimit modern të mbetjeve të ngurta të industrive dhe qytetarëve shqiptar. Kjo do të realizohet duke formalizuar njëkohësisht sektorin, duke përfituar nga përvojat e industrive ricikluese austriake, bashkëpunimin ndërmjet industrive si dhe me institucionet shtetërore nëpërmjet përvojës së Shoqatës së Industrive Ricikluese të Austrisë. “Gjithashtu synohet të krijohen kushtet për zbatimin e ligjit përkatës të fushës dhe të standardeve të BE-së si dhe të rrisë përgjegjshmërinë shoqërore të industrive shqiptare si prodhueset më të mëdha të mbetjeve të ngurta, apo të mundësojë përcjelljen e njohurive të krijimit të sistemit modern të menaxhimit të mbetjeve të ngurta në pushtetin vendor, shkolla, qytetarët si dhe në industritë shqiptare”, - shtoi Buxhuku. Kompania “Brantner Gmbh”, lider në fushën e industrisë së riciklimit të mbetjeve të ngurta në Austri e shtrin aktivitetin e saj në 8 shtete dhe ka afër 3 mijë punonjës, duke ofruar të gjitha llojet e shërbimeve të pastrimit, depozitimit dhe përpunimit të mbetjeve të ngurta me të ardhura vjetore, që e tejkalojnë shifrën prej 200 milionë eurosh.

Marrëveshja

Konfindustria nënshkroi dy ditë më parë marrëveshjen. Sipas njoftimit zyrtar të Konfindustrisë, kanë përfunduar bisedimet e dyanshme dhe është rënë dakord që ky grupim të jetë partneri institucional i kompanisë “Brantner Gmbh” Austri, operatori lider i industrisë austriake të riciklimit të thellë të mbetjeve të ngurta. Kjo në funksion të zbatimit të një projekti strategjik të përmirësimit rrënjësor të sistemit të riciklimit të mbetjeve në Shqipëri, me qëllim tejkalimin e gjendjes së vështirë së tanishme të sektorit në fjalë me ndikim të drejtpërdrejtë negativ në standardet e ulëta mjedisore në vend. Prania e kompanisë në fjalë është bërë e mundur gjithashtu me mbështetjen e drejtpërdrejtë të Qeverisë austriake nëpërmjet Agjencisë së Zhvillimit të Austrisë (ADA).

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›