E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ruli në Kuvend: QKL, në funksion brenda majit

Qendra Kombëtare e Licencimit (QKL), pritet të funksionojë brenda muajit maj të këtij viti dhe për këtë qëllim ka filluar dhe procesi i trajnimit të stafit. Me funksionimin e QKL biznesi do të çlirohet nga barra e madhe e të trokiturit në shumë dyer për të marrë një leje të vetme dhe nuk do të kërkojë gjatë informacion mbi aplikimin e tij, sepse do ta ketë atë gjithmonë të gatshëm dhe të prekshëm on-line", u shpreh dje në Kuvend, Ministri i Ekonomisë Tregtisë dhe Energjetikës, Genc Ruli. Sipas tij, kjo është rrjedhojë e reformës rregullatore, për të cilën u ngrit një Task-Forcë ndërministrore. "Reforma rregullatore zgjati më shumë se 2 vjet, pasi u studiuan deri në imtësi të gjitha lejet dhe licencat e institucioneve në varësi të Këshillit të Ministrave. Inventari, tregoi se ishin një mori lejesh dhe licencash të ndryshme, një ngarkesë e panevojshme që krijonte një stres të madh për biznesin, pasi në emër të sigurisë publike gjithçka duhej të pajisej me leje apo licenca. Pas studimit rezultoi se nga më shumë se 180 leje dhe licenca, dy të tretat ishin të eleminueshme, ndërsa 60 të nevojshme", shtoi Ruli gjatë fjalës së tij në Kuvend. Më tej ai pohoi se të gjithë këto pritet të grumbullohen në atë që quhet "One stop Shop" për lejet dhe licencat, ose në Qendrën Kombëtare të Lejeve dhe Licencave. QKL ngrihet me ligj të veçantë, të miratuar nga Këshilli i Ministrave. "Ky ligj fut një nocion të ri e të rëndësishëm, që është miratimi në heshtje. Personi bën aplikimin në QKL, sipas llojit të lejes, dhe ai përpunohet brenda QKL-së, ose në bashkëpunim me institucionet e tjera. Nëse aplikuesi nuk merr përgjigje brenda afateve të përcaktuara në ligj, kjo leje quhet automatikisht e miratuar", shpjegoi ministri Ruli.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›