Eurobono, 15 banka prestigjioze paraqesin ofertat
Ministria e Financave njofton mbylljen me sukses të fazës së parë të procesit të emetimit të Eurobonos, që konsistoi në marrjen e ofertave nga institucione financiare ndërkombëtare. 15 banka prestigjioze ndërkombëtare me aktivitet të zgjeruar në tregun e kapitaleve kanë paraqitur ofertat e tyre, të cilat do të vlerësohen nga Ministria e Financave, për të short-listuar 4-5 ofertat më të mira, të cilat do të vazhdojnë më tej konkurrimin. Procesi i emetimit të Eurobonos së parë të Shqipërisë, si procesi më i rëndësishëm ndonjëherë i operacioneve të huamarrjes publike të Shqipërisë, startoi në fillim të janarit me publikimin e kërkesave për ofertë nga Ministria e Financave. Institucionet konkurruese patën afat deri në datën 5 shkurt për të sjellë ofertat e tyre. Interesi i tregut për të menaxhuar Eurobonon rezultoi të ishte masiv, çka është e dukshme edhe nga numri shumë i lartë i ofertave të paraqitura. Ministria e Financave synon të përfundojë procesin e emetimit brenda muajit maj, kohë që korrespondon edhe me plotësimin e vitit të parë të kredisë sindikale të marrë vitin e kaluar dhe na jep mundësinë të shlyejmë këtë kredi dhe ta zëvendësojmë me Eurobonon, e cila do të ketë normë interesi cilësisht më të ulët. Eurobonoja do të emetohet për një vlerë prej 300-350 milionë eurosh, rreth 200 milionë prej të cilave do të shkojnë për shlyerjen e kredisë sindikale dhe pjesa tjetër për të financuar nevojat e buxhetit. Ministria e Financave do të vijojë të informojë publikun hap pas hapi për procesin e emetimit të Eurobonos, deri në realizimin e suksesshëm të saj.