E Diel, 1 Nëntor 2026

Konfirmim, në prag të pavarësisë së Kosovës

Nga Ambasador Bashkim RAMA

Pavarësia e Kosovës po troket. Tashmë, gjithkush është në gjendje të ngërthejë hapësirat e madhështisë të aktit historik, që po mbërrin, me te gjitha përmasat e pashmangshmërisë objektive te tij.
Është e kuptueshme se, sa më shumë i afrohemi këtij akti, aq me delikat, i përgjegjshëm e me efekte negative për të ardhmen e kosovarëve, bëhet ai, aq më shumë merr rëndësi çdo detaj, çdo koment e procedurë, veprim apo modalitet, qe lidhet me te.
Po ashtu, është evident karakteri politiko diplomatik tepër kompleks i”proklamimit” nen presionin qe ushtrohet, ne kundërti me ardhjen e tij, pavarësisht se “pro”-te janë shume me tepër, ne rrugeecjen e mbetur, deri të mëvetësia “de jure” e Kosovës. Gjithsesi, mendoj se, një ditë pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës, në të gjithë territorin administrativ të saj, “dielli do të lindë e do të perëndojë” njëlloj si një ditë më parë. Jam i bindur se edhe shqiptarët edhe serbët, apo kombësitë e tjera, një ditë pas shpalljes, do të ndjehen njëlloj në tokën e përbashkët të Kosovës, ndofta duke kapsallitur pak sytë, me nëntekstin, se “nuk ka ndodhur asgjë e jashtëzakonshme”, në krahasim me një ditë më parë. Kjo për arsyen e thjeshtë se Kosova “de facto” ka qenë e çliruar nga Serbia që më 1999 dhe se zgjidhja “de jure” e tanishme e problemit, është një konfirmim juridik i realitetit territorial dhe njerëzor të saj.
Është kjo arsyeja pse shpallja e pavarësisë duhet patjetër të bëhet tani, që u shua çdo lloj mundësie që çështja të zgjidhet nëpërmjet një rezolute të KS të OKB-së, të bllokuar në mënyrën më të pakuptimte nga Rusia, në mbrojtje të interesave të Serbisë. Lidhur me këtë, nuk kanë rëndësi as ditët e as orët, as koha si nocion i përcaktuar. Thjeshtë, ka ardhur momenti për të bërë një gjë të tillë. Sigurisht, ka lidhje objektive midis aktit të shpalljes me kohën e shpalljes, në raportin se shpallja është parimore, kurse koha e shpalljes joparimore e subjektive. Por është dëshpëruese, që një problem madhor si ai i pavarësisë së Kosovës të thjeshtëzohet e të fokusohet, për muaj me radhë, nga mediat dhe masmediat kombëtare, në “ditën dhe në orën x (iks )” kur do të shpallet pavarësia e shumëpritur dhe e stërpërmendur.
Duhet të jetë shumë e qartë se, një çështje e rëndësisë së posaçme, siç është ajo e pavarësisë së Kosovës, nuk është punë minutash, orësh e javësh dhe jo vetëm shpallje e Deklaratës së Pavarësisë, nga ana e institucioneve të Kosovës. Që nga deklarata e shpalljes e deri te konstituimi i pavarësisë, apo hyrjes në fuqi të saj, institucioneve të sapo rikonfirmuara të Kosovës do t’u duhet të procedojnë e të kryejnë disa veprime e modalitete. Në radhë të parë, u duhet të miratojnë Kushtetutën e Vendit, pa lënë në harresë edhe rreth 35 ligje e procedura, që kanë të bëjnë, me të drejtat e minoriteteve, sigurinë, decentralizimin, ruajtjen e objekteve fetare e kulturore, probleme, të cilat lidhen me implementimin e “paketës Ahtisari”. Pa miratimin e tyre, procesi i njohjes së pavarësisë së Kosovës do të vihej në pikëpyetje serioze.
Nga ana tjetër, organizime e modalitete të tjera si: simbolet e siglat zyrtare; ato që lidhen me vazhdimësinë e misionit të NATO-s në Kosovë; me ftesën për mbërritjen e Misionit të BE-së e të konfirmimeve të tyre; të marrjes së masave e të garancive të sigurisë etj., kanë kohën e vet teknologjike.
Është më shumë rëndësi që, tashmë, nuk ka asnjëlloj dyshimi se shpallja e pavarësisë së Kosovës nuk mund dhe, nuk duhet, të bëhet në mënyrë të njëanshme, nga ana e faktorit vendor, pa një bashkëpunim të afërt e konkret me faktorët determinues ndërkombëtarë, në përputhje dhe në akord me ShBA, BE, si dhe të subjekteve të tjera ndërkombëtare, të cilët, të gjithë së bashku, kanë projektuar, sponsorizuar, si dhe kanë jetësuar projektin madhor ndërkombëtar, që nga kriza e Kosovës e deri tek pavarësia e saj.
Është në nderin e tyre se, ato jo vetëm kuptuan dhe konceptuan karakterin “sui generis” të çështjes së Kosovës, por ideuan dhe vendosen “shtratin” filozofik - juridik dhe diplomatiko - politik, mbi të cilin u mbështetën të gjitha veprimet e operacionet praktike, që nga ndërhyrja e NATO-s, vendosja e UNMIK-ut dhe e KFOR-it e deri tek “Paketa Ahtisari”, si bazë konkrete, mbi të cilën konstruktohet pavarësia e Kosovës dhe shteti i ri demokratik e multietnik i saj.
Mendoj se duhet theksuar që, një gjë e tillë u bë, jo vetëm me një qartësi dhe largpamësi të pashembullt, por edhe me një origjinalitet e vizion të tillë, që pasuruan përvojën historike dhe konturuan kualitete të panjohura më parë, për një rend botëror, gjë që përbën, përparësitë e avantazhet e rendit të ri botëror, të kohës sonë.
Në këtë kuptim, mund të thuhet pa gabuar se, në historinë moderne, nuk ka patur precedent, që të ketë treguar angazhim, vëmendje e përkujdesje të topaktorëve vendimmarrës ndërkombëtarë, aq shumë takime e konsultime, aq shumë sinergji, kontuitet sa për zgjidhjen e problemit të Kosovës. Asnjëherë, më parë, “niveli i aktrimit” nuk ka qenë kaq i lartë dhe asnjëherë në performanca të kësaj natyre, nuk ka patur shtrirje kaq të gjerë mbarëbotërore të kujdesit për zgjidhjen e problemit, me mbështetjen e top ekspertizës politiko diplomatike botërore. Asnjëherë masmedia botërore nuk ka treguar sensibilitet të tillë, si në rastin e Kosovës.
Të vërteta të tilla tregojnë, jo vetëm se sa deciziv, i përparuar e dinamik është rendi i ri ndërkombëtar sot, por edhe obligimin e faktorëve shqiptare, “në këtë dhe në anën tjetër të Drinit,” për të qenë tepër të përgjegjshëm në aktivizimin e tyre si pjesë e këtij rendi, për të dhënë ndihmesën e tyre në proceset e brendshme e të jashtme që lidhen me aktivitetet e këtij rendi dhe për ta kthyer procesin e zgjidhjes së problemit të Kosovës, në përgjithësi, dhe atë të statusit të saj, në veçanti, në një projekt të madh ndërkombëtar.
Nisur nga sa thamë, është më se evidente se shpallja e pavarësisë së Kosovës, si akt madhor për kosovarët (shqiptare, serbe e të tjerë) dhe si akt i shpalosjes së efektivitetit të rendit të ri ndërkombëtar për paqe, siguri e prosperitet në rajon e më gjerë, është e nevojshme të gëzojë një mbështetje të gjerë, mundësisht konsensuale, sepse vetëm kështu mund të sigurojë një zgjidhje të qëndrueshme në përputhje me karakterin demokratik të veprimtarisë të të gjithë aktorëve, vendore e ndërkombëtare, si ideim dhe përpjekje e përbashkët.
Njëherësh me këtë, duhet demonstruar qartë e hapur së pavarësia e Kosovës, në thelbin e saj, është një akt legjitim i mbështetur fort e i argumentuar, me logjikë të hekurt, mbi baza politike, diplomatike e juridike, që burojnë nga sinteza e përmbajtjes së dokumenteve e ligjeve universale të së drejtës e të bashkëjetesës aktuale e historike ndërkombëtare.
Nëse u bënë përpjekje të përsëritura e të pasukseshme, për të siguruar një përkrahje të pavarësisë së Kosovës nëpërmjet një rezolute të KS të OKB-së, mbi bazën e dokumentit të Ahtisarit, nëpërmjet një konsensusi të përpunuar, për shumë kohë, nga Grupi i Kontaktit,(pjesë e të cilit është dhe Rusia) nën kujdesin e Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, kjo s’do të thotë se, nxjerrja e çështjes së statusit të Kosovës nga rendi i ditës së KS dhe zgjidhja e saj, nëpërmjet shpalljes së pavarësisë dhe përkrahjes ndërkombëtare të saj, është jolegjitime. Aspak. Ndryshimi është se njohja nëpërmjet KS do të ishte një procedurë më e lehtë dhe, thjesht, do ta zgjidhte statusin nëpërmjet zëvendësimit të një rezolute të KS me një tjetër, ndërsa shpallja e pavarësisë, nga ana e institucioneve demokratike të Kosovës dhe njohja individuale e saj, nga ana e shteteve e subjekteve ndërkombëtare, do të kërkonte më shumë kohë dhe do ta zgjaste procesin, por nuk do të ndryshonte kahjen e përmbajtjen e tij.
Përkrahësve skeptikë të tezës së, “statusi i Kosovës duhet të zgjidhet vetëm në suazat e KS,” do t’i beja vetëm një pyetje: Cili nga 200 shtetet, anëtare të OKB-së, është shpallur i pavarur nëpërmjet një rezolute të KS të OKB-së?
Kurse përkrahësve të idesë absurde se “bisedimet midis serbëve dhe shqiptarëve duhet të vazhdojnë ende, deri në gjetjen e një kompromisi midis tyre”, do t’i thosha se shqiptarët e Kosovës e kanë bërë kompromisin e tyre, që me përkrahjen e propozimit të Grupit të Kontaktit, lidhur me “3 Jo”-të, gati tre vjet më parë, duke hequr dorë nga Bashkimi Kombëtar, në emër të ruajtjes të Stabilitetit dhe të Paqes në Ballkan, të asaj paqeje e të atij stabiliteti aq të nevojshëm, si për serbet, ashtu edhe për shqiptarët dhe për të tjerët, në rajonin tonë, historikisht, të anatemuar si konfliktuoz e problematik.
A ka kompromis e sakrificë më të madhe për një popull, që pranon të jetojë i ndarë, në emër të lirisë së tij dhe të paqes për vete dhe për të tjerët?
Dua të theksoj se, shqiptarët e Kosovës e pranojnë një kompromis të tillë në kushtet e një Kosove multietnike e europiane, në kufijtë administrativë të saj, por nëse bëhet fjalë për çfarëdolloj ndarjeje, nga trungu i Kosovës, atëherë Bota duhet ta dijë, se kërkesat e shqiptarëve, janë kualitativisht të tjera. Në një rast të tillë, obligimi i tyre për një Kosovë multietnike, nuk është më valid, që do të thotë se kërkesa e tyre e kahershme për bashkimin e trojeve etnike shqiptare, në një trung të përbashkët kombëtar, mbi bazën e San Franciskos dhe të vetëvendosjes së Kombeve, del në rend të ditës.
A mund ta llogarisni, Ju lutem, efektin e një “projekti” të tillë, në Ballkanin e fragmentarizuar?
Së dyti,
shqiptarët e Kosovës ishin ata që, (ndryshe nga serbët, tani e dikur, në Rambuje) pranuan planin Ahtisari, megjithë rezervat, që kishin për të. Kuptohet, paketa Ahtisari është një dokument kompromisi për t’u shërbyer të dy palëve, për të shkuar drejt një ujdie të mundshme. Për vetë karakterin e tij, ai nuk mund të jetë në favor të shqiptarëve. Përkundrazi, paketa Ahtisari është e mbushur me plot shembuj të “diskriminimit pozitiv” në favor të serbëve të Kosovës. Shqiptarët e pranuan këtë dokument me ndërgjegje të plotë dhe jo se nuk e dinin që ai nuk është në favor të tyre. Ata e pranuan atë, si të vetmin propozim, të bindur për të shkuar drejt kompromisit me serbët, si të vetmen bazë, që shërbente në terrenin e përbashkët, për përcaktimin e statusit të Kosovës, si problem i shtruar për zgjidhje.
Banorët e Kosovës tashmë janë të ndërgjegjësuar e gjakftohtë se pavarësia e Kosovës është jo vetëm një akt legjitim, por edhe një zgjidhje pa të humbur, është një akt, prej të cilit, fitojnë të gjithë në Kosovë, në Serbi dhe në rajon, është e vetmja zgjidhje që siguron stabilitetin dhe paqen afatgjatë. Është kjo arsyeja pse një ditë e tillë në Kosovë do dhe duhet të pritet me gëzim e dinjitet, pa shumë “tam-tame“ e skena, ku “disa festojnë e disa vajtojnë”, duke e kthyer këtë festë, në një akt përgjegjësie si fillesë e ngrehinës së shtetit më të ri e më modern në botë.
Shqiptarët e Kosovës, si popullsi shumice, duhet të tregojnë gjenerozitet dhe indulgjencë ndaj minoritetit serb dhe minoriteteve të tjera, duke u vënë në një rend me ta, dhe duke festuar, të gjithë së bashku, festën e përbashkët, në Kosovën e tyre të përbashkët.
Serbët e Kosovës në këtë ditë feste, edhe për ta, duhet të ndjehen mirë në vendin e tyre, ku kanë të tashmen dhe të ardhmen, atdheun dhe pronat e tyre.
Nuk dua te flas, gjatë, për serbët e Beogradit, jo vetëm se i ndjej të largët, por se pozicioni i tyre, është i përcaktuar. Ata, tashmë, përfaqësojnë një nga fqinjët më të rëndësishëm të shtetit më të ri, që po shpallet në Ballkan. Me zgjedhjet e fundit presidenciale, Beogradi, besoj, nisi një rrugë të re, drejt Brukselit. Është në nderin dhe në interesin e Serbisë, që në udhëecjen drejt Evropës, të respektojë e të bashkëpunojë sinqerisht, me shtetin e sapokrijuar të Kosovës, duke iu distancuar historisë së dhimbshme tragjike të së kaluarës, jo të largët dhe duke ndërtuar, pa paragjykime, të ardhmen e fqinjësisë europiane me ta. Jam i bindur se, shqiptarët do t’u përgjigjen me fjalën e burrit dhe me plisin e bardhë...
Skeptikeve fanatike keqdashës dhe përkrahësve të dyshimeve e mosbesimit për aftësitë e Kosovës për të prosperuar, më vete, si shtet i pavarur, do t’u thosha, pa hezitim se:
Së pari, për njohësit e vërtetë të saj, Kosova, përfaqëson sot, një realitet tepër dinamik, që zhvillohet me shpejtësi, e në drejtimin e duhur.
Me një popullsi prej 2.4 milion banorë, të vendosur mbi një sipërfaqe prej rreth 10 mijë km katrorë, Kosova sfidon, në mënyrë permanente, tregues të vështirë, në planin e brendshëm: një papunësi, në shifrat rreth 55 %, ndërkohë kur mosha mesatare e popullsisë, është më e reja në Evropë - 25 vjeç; një dendësi të popullsisë, po ashtu, më të lartën në Evropë, me mbi 240 frymë për km katrorë; trashëgiminë e një infrastrukture prodhuese bujqësore e industriale të shkatërruar nga lufta; vështirësitë problematike, në mungesën e mirëkuptimit etnik, qe la hapur gjenocidi serb etj.
Tregues të tille jo për një vend, si Kosova, në situatë pas lufte, në proces për të formësuar shtetin e vet, por edhe për shtete me tradita demokratike të vjetra e me ekonomi të fuqishme, përbëjnë një “minë me sahat”.
Megjithatë, e parë në retrospektivë, pas nëntë vitesh nga lufta, (ndryshe nga Bosnja) në Kosovë nuk vihet re asnjë shenjë e luftës dhe e shkatërrimit. Ndryshimi me kohën e paraluftës është tepër i madh. Kosova është ndërtuar e re dhe me pamje moderne e europiane, duke u zhvilluar mbi bazën e buxhetit ekonomik, të cilin, prej disa vitesh, e siguron vetë, pa ndihmën e donacioneve të huaja. Ekonomia kosovare po hapet gjithnjë e më shumë me format e një ekonomie tipike tregu, duke zënë vend të stabilizuar në tregun e eurozonës, pozitë tepër e lakmuar nga shumë vende të rajonit.
Së dyti,
nga pikëpamja e rendit shoqëror, Kosova përfaqëson një vend me demokraci funksionale dhe me institucione përfaqësuese pluraliste, të dala, kohët e fundit, nga zgjedhje të lira e demokratike, të standardeve europiane, të cilësuara si shembull për të gjithë rajonin, të njohura e të certifikuara, nga institucionet e specializuara europiane e ndërkombëtare. Minoritetet marrin pjesë në këto institucione direkt dhe me përfaqësim proporcional, në bazë të “diskriminimit pozitiv”. Vendi, aktualisht, drejtohet nga një qeveri, kualicioni me bazë, relativisht të gjerë, me pjesëmarrje të të gjithë pakicave. Është karakteristike, se në të përfshihen dy forcat politike më të mëdha, të cilat, tradicionalisht kanë qenë në opozitë me njëra tjetrën, ndërsa tani ofrojnë, me seriozitet, bashkëpunimin, për interesat e vendit.
Se treti,
nga pikëpamja administrative, Kosova, historikisht, (përjashtuar kohën e suspendimit millosheviçian të të drejtave të shqiptarëve) është administruar më vete dhe me mundësi reale funksionuese e organizuese, duke dhënë një kontribut të konsiderueshëm edhe për rajonin. Sot, Kosova, pas rreth 9 vjetësh administrim ndërkombëtar, përfaqëson një shtet, me një organizim bashkëkohor, jo vetëm të bazuar në një legjislacion modern, të “fjalës së fundit të teknologjisë” menaxhuese, por edhe të implementuar, në praktikë, nga vetë kosovarët, në asistencë të ekspertëve ndërkombëtarë dhe specialistëve, me kualifikim të lartë administrativ, të rangjeve botërore.
Se katërti,
prezenca e forcave të NATO-s, si trupë për ruajtjen e kufijve të jashtëm dhe si garanci, për të prevenuar aktet e dhunës dhe trazirat e mundshme, eventualisht të provokuara nga problemet e brendshme, (sidomos, roli i saj, për të mbrojtur të drejtat e pakicës serbe) u siguron të gjithë qytetarëve të Kosovës qetësinë e nevojshme, për të jetuar në paqe e për të punuar për të ardhmen e tyre. Njëherësh, prezenca aktive e NATO-s krijon dalëngadalë kushtet që Kosova nëpërmjet një bashkëpunimi perfekt e të përhershëm me të, të ketë privilegjin e rrallë që të bëhet pjesë e paktit, në mënyrë të shpejtë e të relaksuar, ëndërr e saj e hershme dhe, aspiratë e shumëdëshiruar, aktualisht e pritur me padurim, nga vendet e Ballkanit Perëndimor.
Së pesti,
“tracking mekanism”, si instrument për tërheqjen e Kosovës drejt BE-së, si dhe për përgatitjen e saj drejt strukturave politike e ekonomike të Europës, ka dhënë rezultate të pakontestueshme dhe konkrete për afrimin e Kosovës, drejt vlerave europiane.
Ardhja e Misionit të ri të BE-së në Kosovë, jo vetëm e përforcon tendencën e afrimit të Kosovës me “trendin” euroatllantik të zhvillimit, por e bën atë zotëruese, duke i dhënë shtetit më të ri, shansin fatlum për t’u bërë, në mënyrën më të shpejtë e më direkte, si pjesë e ardhshme e Europës së bashkuar.
Së gjashti,
Kosova disponon një infrastrukturë, shpërndarje dhe qëndrim pozitiv lidhur me pronën, si dhe një konceptim unik modern për pronën private dhe përdorimin e saj në dobi të zhvillimit ekonomik të vendit, që përbën një nga problemet më të vlerësuara në drejtim të afrimit dhe të integrimit europian. Në Kosovë, pothuajse, e gjithë prona është private, e adresuar te pronarët e tyre dhe në shumicën e rasteve e dokumentuar dhe publikisht e njohur, në opinion, si e tillë. Me përfundimin e procesit të privatizimit të “pronës shoqërore” nëpërmjet veprimtarisë së AKM –së, sipas parametrave më të përparuara, përfundojnë problemet e pronës. Një “bonsens” i Beogradit, duke kthyer dokumentet e hipotekave, të rrëmbyera, pa të drejtë, nga administrata e Millosheviçit, do ta vinte pronën e Kosovës, në eficencë të suksesshme të ekonomisë së vendit.
Së shtati,
prania e njerëzve të rinj, ndihet në çdo skaj e në çdo kohë, në Kosovën e pasluftës. Janë ata, që sjellin vrullin e moshës së tyre, kulturën e re të komunikimit, fluksin e dijës e të shkencës. Të shkolluar në dhjetëra universitete të Kosovës e jashtë vendit, të mësuar për të marrë në dorë drejtimin e Kosovës në bashkëpunim të ngushtë me ndërkombëtarët, duke tërhequr përvojën e tyre, të gatshëm për sakrifica e privacione në dobi të vendit të tyre, ata mbajnë mbi supe peshën dhe përgjegjësinë për të ardhmen e vendit. Shumë prej tyre janë kthyer nga shkollat e emigracioni, kryesisht nga vendet europiane, duke mbartur me vete dije, kulturë e përvojë emancipuese, të cilën e rrezatojnë anë e kënd, Atdheut, si garanci, për të ardhmen e tij.
Së teti,
diversiteti kulturor, përhapja e mënyrës së re të jetesës, rritja e zhvillimi i institucioneve kulturore e arsimore, rritja e shtypit, librave, mediave e zgjerimi i fushës së veprimit të aktiviteteve kulturore e artistike, folklorike e profesionale, debatet publike kulturore e politike, shëndetësore e higjienike, kulturore e teknike i kanë dhënë e i japin një fytyrë të re Kosovës, vepër e energjive të pashtershme të një populli të çliruar, që e vlerëson shumë lart lirinë e tij.
Së nënti,
prezenca ndërkombëtare, ka rrezatuar në Kosovë një frymë të re e të panjohur më parë të mënyrës së jetesës perëndimore e qytetare në përgjithësi, gjë që ka formësuar një sistem të ri vlerash e civilizimi jetësor, si rezultat i kombinimit me qytetërimin tradicional dallues vendor, që ka shtyrë përpara tregues mjaft origjinalë të kulturës së jetesës në Kosovë, pa prishur vlerat e thekta të traditës së lashtë vendore.
Së dhjeti,
respektimi i të drejtave të pakicës serbe, si në të kaluarën, tani dhe në të ardhmen, përbën e do të përbëjë “tendinën e Akilit” të problematikës së Kosovës, njëherësh, garancinë më të qëndrueshme, për demokracinë, stabilitetin, progresin dhe prosperitetin e vendit. Shumica, në Kosovë nuk duhet dhe nuk mund t’i lejojë vetes, që të mos e ruajë me kujdes këtë vlerë, që është gur themeli i ngrehinës së shtetit të ri, demokratik, multietnik, europian të Kosovës.
Duke u ndjerë i privilegjuar dhe krenar, si pjesëtar me kontributin tim tepër modest, por të dhënë më shumë përkushtim e dashuri, në atë që është arritur sot, në këtë pragpavarësie, i uroj Kosovës, nuses së ëndrrave të mija, ditën e shumë ëndërruar e te shumëpritur, ditën e madhe të pavarësisë !

14 Shkurt 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›