E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeprokurorja, takime me përfaqësues të Departamentit të Drejtësisë në SHBA

TIRANË - Prokurorja e Përgjithshme e Republikës së Shqipërisë, Ina Rama, vazhdon vizitën e saj të punës në SHBA. Sipas zyrës së Shtypit pranë Prokurorisë së Përgjithshme, gjatë takimeve me përfaqësues të institucioneve homologe si dhe të Departamentit të Shtetit po trajtohen çështje me interes reciprok, si mënyra e funksionimit të niveleve të ndryshme të organeve të prokurorisë, procedurat e ekzekutimit të vendimeve të formës së prerë dhe ndërveprimi aktiv mes institucioneve ligjore. Rëndësi po i kushtohet edhe njohjes me teknikat efektive të investigimit dhe të përndjekjes së rasteve të korrupsionit në SHBA, përfshirë edhe zyrtarët e lartë, si dhe problemeve të pavarësisë së organeve të drejtësisë, një nga kushtet kyçe që duhet të plotësojë Shqipëria në lidhje me anëtarësimin e vendit në NATO. Në takimet e zhvilluara në Uashington me përfaqësues të Departamentit të Drejtësisë u diskutua për reformat në sistemin e prokurorisë në Shqipëri. Znj. Alice Fisher, ndihmësprokurore e Përgjithshme e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, shprehu gatishmërinë e saj për të përkrahur Zyrën e Prokurorit të Përgjithshëm të Shqipërisë, ndërsa z. Carl Alexander, drejtues i Zyrës për Ndihmën dhe Trajnimin e Prokurorëve të Huaj, siguroi edhe një herë se përmes përfaqësuesve të saj në Tiranë kjo zyrë do të vazhdojë trajnimin e punonjësve të organeve të drejtësisë në Shqipëri dhe në mënyrë të veçantë edhe Zyrën e Prokurorit të Përgjithshëm të vendit.
Në takimin me z. Daniel Roberts, FBI, u diskutua për thellimin e marrëdhënieve bilaterale mes të dyja institucioneve. Në kuadër të bashkëpunimit bilateral në fushën e luftimit të krimit të organizuar si dhe të veprimtarive të tjera kriminale si trafikimi i qenieve njerëzore, parandalimi i korrupsionit apo rastet e abuzimit me postin, u ra dakord për një koordinim më të mirë dhe thellimin e shkëmbimit të informacioneve. Në takimet me funksionarë të tjerë të lartë të Departamentit të Drejtësisë u diskutua edhe për inspektimin e prokurorëve, masat disiplinore, apo dhe zhvillimin e proceseve ndaj atyre prokurorëve, që nuk veprojnë konform ligjeve apo i shkelin ato, si dhe çështje organizative dhe menaxheriale të prokurorive. Gjatë takimeve të ditëve të ardhshme me drejtues dhe funksionarë të tjerë të lartë të prokurorive të disa shteteve të SHBA-ve veç temave të mësipërme do t’u kushtohet rëndësi edhe rasteve të përndjekjes së krimeve që kanë të bëjnë me ambientin apo rastet e mashtrimit.

14 Shkurt 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›