Qeveria “Berisha”, vjedhje me energjinë që në javën e parë të punës
Andi Beli, kontrata të jashtëligjshme që në muajin e parë të punës . Miliona euro abuzime si pasojë e problemeve me kontraktorët
Habjon Hasani
Kontrolli i Lartë i Shtetit ka zbuluar abuzime në prokurimet dhe tenderat e energjisë elektrike që në javën e parë të punës së qeverisë “Berisha”. Duket se “etja” për të prokuruar në mënyrë të drejtpërdrejtë blerjen e një sasie të konsiderueshme të energjisë elektrike ka qenë objektivi i orëve të para të qeverisë. Kontrolli i KLSH-së ka përfshirë të gjithë tenderat për blerjen e energjisë (18 gjithsej), të cilët i referohen periudhës shtator-dhjetor 2005. “Nga kontrolli i dokumentacionit për këtë qëllim rezultoi se blerja e energjisë elektrike për periudhën shtator-dhjetor 2005 dhe janar-mars 2006 është realizuar me procedurën “Prokurim i drejtpërdrejtë”, në kushtet e emergjencës, me çmime më të larta për MW/h në rajon, si rezultat i mosrealizimit të tenderave të hapur ndërkombëtarë të zhvilluar nga enti prokurues për këtë periudhë. Vlerësojmë se mosrealizimi i tyre në të gjitha rastet ka ndodhur për arsye objektive të entit prokurues”, -shkruhet në raport.
Situata
Nga sa kuptohet, në konkluzionet e KLSH-së del se ndryshe nga sa është pretenduar publikisht për “mbylljen” e tenderave ndërkombëtarë, nuk ka qenë situata ndërkombëtare ajo që ka detyruar blerjet me prokurim të drejtpërdrejtë, por vetë enti prokurues shqiptar ka neglizhuar për arsye të vetat blerjet me tender të hapur. Nisur nga kjo situatë e blerjes me prokurim të drejtpërdrejtë më tej rezulton se kanë qenë firmat e kontraktuara ato që kanë vendosur “rregullat e lojës” duke bërë që qeveria shqiptare të blinte energji me çmime rekord dhe të panjohur më parë për të gjithë rajonin e Ballkanit. “Zgjidhja e kontratave për blerjen e energjisë elektrike me prokurim të drejtpërdrejtë në mënyrë të njëanshme nga shoqëritë kontraktuese ka ardhur si pasojë e rritjes së çmimit të energjisë në rajon. Me rritjen e çmimeve, kontraktuesit më të favorshëm për KESH-in nuk kanë realizuar detyrimet kontraktuale pasi kontratat nuk kanë përcaktuar në asnjë rast sigurimin e kontratës për mosrealizimin e detyrimeve, veprim ky që është në kundërshtim me VKM Nr. 335, datë 23.06.2000, “Për Prokurimin Publik”, ndërsa për këtë veprim ngarkohet me përgjegjësi kryetari i entit prokurues, Andi Beli”, - shkruhet në raport.
Beli
Një tjetër prokurim i bërë nga KESH-i duket se ka zbuluar një veprim të “çuditshëm” të ish-drejtorit Andi Beli. Në raportin e KLSH-së është zbuluar se Beli ka refuzuar të paguajë kompaninë “Deloitte&Touche” për auditimin që ajo i ka bërë në vitin 2006 korporatës. Beli ka pretenduar se firma në fjalë është fokusuar edhe në rregjistrat kontabël të kompanisë dhe, sipas tij, ky ishte një konflikt interesi në kushtet kur ishte po kjo firmë që kishte vlerësuar më parë asetet e kompanisë. Por ky vendim i Belit për të “hedhur në erë” të gjithë punën e “Deloitte&Touche” duket se ka shmangur dhe pjesën e auditimit të kësaj kompanie duke mos i dhënë mundësi që të shfaqte rezultatet e auditit dhe për prokurimet e bëra në pjesën e dytë të vitit 2005. Gjatë kësaj periudhe ka qenë vetë Beli që ka lidhur një sërë kontratash për blerjen e energjisë, por ligjshmëria e këtyre kontratave nuk u testua kurrë pasi raporti i “Deloitte&Touche” u anulua. “Firma Deloitte&Touche ka dorëzuar raportin e auditimit në shtator të vitit 2006. Pagesa për shërbimin nuk është kryer pasi me Shkresën Nr. 13664/2, datë 04.12.06, të drejtorit të Përgjithshëm Andi Beli theksohet se kompania fituese nuk ka bërë raport auditimi siç është kërkuar, pasi nuk ka qenë e pavarur që të vlerësonte disa pasqyra kontabiliteti në kushtet kur kjo firmë ka kryer gjithashtu dhe vlerësimin e aseteve të korporatës”, - shkruhet në raportin e KLSH-së.
KLSH-ja: Qeveria organizoi trafikimin e energjisë elektrike
Kontrolli i Lartë i Shtetit ka vërtetuar se në kulmin e krizës energjetike të gjitha justifikimet e qeverisë për ”mungesën e reshjeve” kanë qenë pjesë e alibisë për të fshehur një aktivitet të organizuar të trafikimit të energjisë elektrike. Bëhet fjalë për gjashtëmujorin e parë të vitit 2006, ku të dhënat e KLSH-së hedhin dritë mbi një sërë veprimesh të KESH-it që nxjerrin zbuluar aktivitetin abuziv dhe trafikimin e energjisë. Nga të dhënat e prezantuara në raport zbërthehet skema e abuzimit, e cila është e fokusuar në tri faza. Në kushtet kur zyrtarët ”qaheshin” se nuk kishte reshje, ata kanë hapur kaskadën e Drinit, më tej, duke u justifikuar për nevojën e importit rezulton se KESH-i paralelisht eksportonte energji në Kosovë dhe u ka shitur gjithashtu energji disa firmave të huaja. I gjithë ky operacion është kryer kur pjesa dërrmuese e vendit kishte mbi gjashtë orë mungesë energjie, ndërsa shumë biznese deklaruan gjendjen e tyre të vështirë. ”Theksojmë se gjatë periudhës 01.03.2006 - 31.05.2006 është importuar energji elektrike në të njëjtën kohë është derdhur ujë në kaskadën e Drinit, duke mos shfrytëzuar 37.9 GW/h, veprim që ka sjellë efekt financiar negativ në vlerën 1 milion e 672 mijë euro. Po në këtë periudhë është depozituar energji në shoqëritë ”KEK” sasia 51.69 GW/h, në shoqërinë ”EGL” sasia 6.744 GW/h dhe ”OST Elektra” sasia 8.995 GW/h ose gjithsej 67.429 GW/h”, - shkruhet e zezë mbi të bardhë në raportin e Kontrollit të Lartë të Shtetit. Duket se viti 2006 ka qenë një ”shans i artë” për drejtuesit e KESH-it për të bërë ç’të donin me blerjet dhe importin e energjisë elektrike. Mes rreshtave të raportit të Kontrollit të Lartë të Shtetit lexohet qartazi se Enti Prokurues nuk kishte paracaktuar asnjë tabelë, e cila do të përcaktonte nevojat e vendit duke i hapur rrugë importimit të sasive të pamasa të energjisë elektrike, ndërsa në të gjitha kontratat e lidhura (pa përjashtim) janë evidentuar shkelje dhe abuzime financiare, ku gjithnjë shifrat kanë qenë me nëntë zero në fund.
Kontratat antiligjore pasuan trafikimin e energjisë
Pikërisht për të njëjtën periudhë kohore në të cilën është trafikuar energjia elektrike, KLSH-ja ka zbuluar dhe parregullsitë serioze në një prej kontratave më të mëdha që KESH-i kishte nënshkruar për importimin e energjisë elektrike. ”Kontrata e nënshkruar me shoqërinë ‘EZPADA’ s.r.o, me Nr. Prot. 9609, datë 31.12.2005, me vlerën 6 milionë e 269 mijë euro për blerjen e energjisë elektrike për periudhën nga 1 janari 2006 deri më 31 mars 2006, nuk ka parashikuar ulje të sasisë së blerjes së energjisë në situata pozitive hidroenergjetike. Pra, Enti e ka favorizuar këtë shoqëri pasi çmimi i ofruar është +6.28 euro MW/h më i lartë se i shoqërive të tjera, ndërsa te kontratat e firmave të tjera ishte parashikuar ulja e sasisë së importit. Ky veprim bën me përgjegjësi drejtorin e Përgjithshëm, Andi Beli”, - nënvizon raporti i KLSH-së, i cili shpreh qartë operacionin antiligjor të drejtuesve të KESH-it për të blerë sa më shumë energji me çmim të lartë, në kushtet kur jo vetëm hapeshin kaskadat, por edhe kur vetë KESH-i shiste energji në disa drejtime. Vlen të rikujtohet se të gjitha këto operacione antiligjore janë kryer kur shqiptarët vuanin çdo ditë mungesën e zgjatur të energjisë elektrike.
14 Shkurt 2008