KLSH-ja: Firma fantazmë, fituese të tenderave të energjisë
Disa kompani nuk rezultonin të regjistruara në gjykatë. Ne tendera nuk përcaktoheshin parametrat e prokurimit
Habjon Hasani
E gjithë skema e organizimit të tenderave nga KESH sh.a duket se ka qenë një “vënie në skenë”, pasi Kontrolli i Lartë i Shtetit ka vërtetuar se një pjesë e firmave kishin arritur të paraqiteshin në tendera edhe pa qenë të regjistruara në gjykatë. Duket se në këto kushte vihet totalisht në dyshim procesi i administrimit të dhjetëra milionë eurove që sot rezultojnë të shpenzuara për blerje energjie. “Në disa dosje mungon dokumentacioni ligjor, i cili vërteton regjistrimin në gjykatë të kandidatëve pjesëmarrës në prokurim, veprimtarinë e tyre, seriozitetin dhe besueshmërinë, veprim në kundërshtim me Ligjin Nr. 7971, datë 01.01.1996, “Për prokurimin publik”, i cili ngarkon me përgjegjësi drejtoreshën e Prokurimit, Juliana Lamaj”, - thekson raporti i KLSH-së. Duke u përqendruar te këto prokurime, KLSH-ja ka saktësuar se në disa dosje titullari i entit prokurues nuk ka nxjerrë urdhërprokurimi, për rrjedhojë nuk është paracaktuar objekti i prokurimit, fondi limit, procedura e prokurimit dhe komisioni i vlerësimit të ofertave, që të gjitha veprime shumë të rënda, në kundërshtim flagrant me ligjin, për të cilat KLSH-ja mendon se ka përgjegjësi të plotë ish-drejtori Andi Beli, në cilësinë e kreut të entit prokurues.
Vonesat
KLSH-ja ka specifikuar se “në disa kontrata të nënshkruara nga palët nuk janë përcaktuar penalitete për vonesa në lëvrimin e energjisë, veprim ky në kundërshtim me Kushtet e Përgjithshme të Kontratës. Gjithashtu, KLSH-ja ka arritur të zbulojë se lidhur me kontratat ka patur raste kur e njëjta kompani ka ofruar dhe fituar prokurimin me dy çmime të ndryshme. Këto raste i referohen kryesisht vitit 2006. Më 11 dhjetor të vitit 2006, qeveria shqiptare mori vendimin për “Lejimin e KESH-it të përdorë procedurën “Prokurim i drejtpërdrejtë” për blerjen e energjisë elektrike në periudhën dhjetor 2006 - janar 2007”. Ky prokurim u fokusua te gjashtë kompani gjithsej, ndërsa vlera totale e prokurimit arrinte diku te 17 milionë euro. Inspektimi dhe vlerësimi i lidhjes së kontratave mes qeverisë dhe këtyre firmave ka nxjerrë në pah “akrobaci” të ndryshme, të cilat konsistojnë në rritjen fiktive të çmimit apo dhe në shkeljen e procedurave standarde. “Çmimi i blerjes së energjisë në tenderin me prokurim të drejtpërdrejtë është më i lartë se çmimi i ofruar nga e njëjta kompani në tenderin e hapur ndërkombëtar të zhvilluar më datë 06.11.2006 për të njëjtën periudhë të lëvrimit të energjisë elektrike”, - konstaton KLSH-ja duke nxjerrë zbuluar abuzimin me rritjen fiktive të çmimit të energjisë së importuar.
Sasitë
Në inspektimin e KLSH-së është zbuluar edhe një tjetër mënyrë abuzimi, e cila nuk lidhet me rritjen e çmimit, por me uljen e sasisë së energjisë së importuar, duke sjellë sërish dëm financiar. ”Sasia e lëvruar e energjisë elektrike nga kompania “Montmontaza” nuk është sipas kontratës, por me diferencë në më pak se 6.720 MW/h. Enti prokurues nuk ka konfiskuar sigurimin e kontratës duke shkaktuar efekt financiar negativ me dëm ekonomik në vlerën 74.880 euro, veprim në kundërshtim me kushtet e përgjithshme dhe kushtet e veçanta të kontratës dhe që ngarkon me përgjegjësi drejtorin e Prokurimeve, Sokol Spahiu, drejtorin e Drejtorisë Ekonomike, Eldar Kazo, administratorin e kontratës, Luan Aranitasi, si dhe kryetarin e Entit Prokurues, Andi Beli”, - nënvizon raporti i KLSH-së. Por duket se firma e sipërpërmendur nuk është e vetmja që ka depozituar më pak energji nga sa detyrohej. Ky lloj problemi është hasur edhe në një numër tjetër kontratash, ndërsa deri sot nuk rezulton që ndonjëra nga këto kompani të ketë ”kompensuar” dëmin që kanë shkaktuar te xhepat e taksapaguesve shqiptarë.
Në vitin 2006 u blenë 50 milionë euro energji pa dokumente
Vendimi i qeverisë për blerjen e energjisë elektrike për të siguruar normalitetin e furnizimit që nga 1 prilli 2006 deri më 31 dhjetor 2006 është pasuar nga një proces tërësisht i pakontrolluar prokurimi. Konstatimi i KLSH-së është identik me kontrollin e ushtruar prej saj edhe në prokurimin e energjisë të blerë për vitin 2007, ndërsa ajo që ndryshon është vetëm shuma e prokurimit që për vitin 2006 ishte rreth 50 milionë euro. “Në këtë tender mungon regjistri i procedurave të prokurimit, veprim ky në kundërshtim me dokumentet standarde të tenderit, i cili ngarkon me përgjegjësi njësinë e prokurimit dhe Komisionin e Vlerësimit të Ofertave”, - konkludon KLSH-ja. Më tej, në raport vërehet edhe mungesa e inventarëve. “Dosja e tenderit është e painventarizuar, në kundërshtim me udhëzimin e Këshillit të Ministrave Nr.1, datë 01.01.1996, “Për Prokurimin Publik”, veprim që ngarkon me përgjegjësi njësinë e prokurimit”, - shkruhet në raportin e Kontrollit të Lartë të Shtetit. Nga ky konkluzion mund të thuhet se për dy vite me radhë Korporata Elektroenergjetike Shqiptare ka menaxhuar shuma marramendëse parash jashtë çdo lloj kriteri dhe në kundërshtim të hapur me ligjet në fuqi. Duket se drejtuesit e KESH-it e kanë kryer këtë aktivitet të ”pashqetësuar” nga strukturat e auditit. Ky fakt vërtetohet dhe në konkluzionet e raportit të KLSH-së, ku ekspertët kanë vërejtur se audituesit e Ministrisë së Financave kanë kërkuar penalizime të lehta edhe pse shkeljet kanë qenë të përmasave të konsiderueshme. Kaq arbitrare është mbrojtja që Auditi u ka bërë këtyre drejtuesve, saqë hartuesit e KLSH-së kanë vendosur të tërheqin vëmendjen duke bërë një paragraf special vetëm për këtë problem.
Në vitin 2007, 162 milionë euro blerje të pakontrolluara
Raporti i Kontrollit të Lartë të Shtetit ka zbuluar se rreth 162 milionë euro të akorduara nga qeveria shqiptare për blerjen e energjisë në vitin 2007 janë lëvruar në mënyrë të kundraligjshme dhe krejtësisht të pakontrolluar. “Albania” boton sot për herë të parë pjesët më të rëndësishme të këtij raporti mes rreshtave të të cilit konstatohet se shuma marramendëse prej 162 milionë eurosh është menaxhuar në mungesë të procedurave dhe të inventarëve, duke e kthyer të gjithë operacionin në një “oaz” të qetë për abuzime marramendëse. Kësisoj dhe dëmi është i pallogaritshëm pasi që në zanafillë të prokurimit janë hasur mungesa të dorës së parë, siç janë procedurat dhe inventarët. Më konkretisht, bëhet fjalë për tenderin “Blerje 2.206,3 GW/h energji elektrike për periudhën 01.01.2007-31.12.2007”. Pas shqyrtimit të këtij prokurimi të bërë nga KESH-i në fund të vitit 2006, Kontrolli i Lartë i Shtetit ka dalë në konkluzionin se edhe pse bëhet fjalë për një prokurim tejet të rëndësishëm dhe me shifra shumëmiliardëshe (162 milionë euro), për shpenzimin e këtyre lekëve nuk ka ekzistuar as dokumentacioni minimal, siç janë procedurat dhe inventarët“.
14 Shkurt 2008