Konfirmohet aktakuza per krime lufte ndaj Limajt

Gjykatësi i EULEX-it ka konfirmuar aktakuzën e ngritur për rastin “Kleçka” me 25 korrik në Gjykatën e Qarkut në Prishtinë kundrejt deputetit të PDK-së, Fatmir Limaj dhe nëntë të akuzuarve të tjerë. Akta-akuza i ngarkon të pandehurit me akuza për krime lufte kundër popullatës civile dhe robërve të luftës, që supozohet të jenë kryer nga fillimi i vitit 1999 deri në mesin e qershorit 1999 kundër civilëve serbë dhe shqiptarë, si dhe kundër pjesëtarëve të burgosur të ushtrisë serbe dhe policëve serbë të mbajtur në një qendër të improvizuar paraburgimi nga Ushtria Çlirimtare e Kosovës (UÇK) e cila ndodhej në fshatin Kleçkë. Ndërkohë, deputeti Limaj ka në ngarkim pesë akuza, ndër të cilat edhe përgatitjen e operacionit “Shigjeta”, por ai i ka mohuar ato duke thënë se ka qenë në Shqipëri në kohën për të cilën akuzohet.