Konfirmohet ardhja e yjeve
Edicioni i sivjetmë mbahet pranë detit dhe Amfiteatrit të Lashtë Romak, por edhe në katër qytetet e tjera shqiptare, në Tiranë, Sarandë, Pogradec dhe Vlorë.
Mbrëmjet e filmit do t’i dedikohen jo vetëm filmave konkurrues, por dhe "Mikut të Nderit", që sivjet i takon kinematografisë dhe kulturës së SHBA’ve dhe Turqisë. Këto dy kinematografi përfaqësohen përmes filmave të dy shteteve dhe retrospektivës së regjisorit, Francis Ford Coppola. Coppola po ashtu do të laureohet me titullin "Gladiatori i Artë", ngjarje kjo që do të përcillet me shfaqjen e katër filmave të zgjedhur të tij. Kultura kinematografike turke ndërkaq prezantohet përmes filmave të përzgjedhur nga kritikja e filmit, Alin Tasciyan. Bëhet fjalë këtu për shtatë filmat më të mirë turq në tre vitet e fundit.
Sipas organizatorëve, festivali do të ketë edhe seksionin e dokumentarit dhe filmit të shkurtër ndërkombëtar. Konkurrimi zyrtar ndërkaq përbëhet nga tetë filma të metrazhit të gjatë të produksioneve më të reja evropiane, dhe nga gjashtë filma të seksionit “Botë Ballkanike”, që janë prodhime të reja të rajonit.
Ndryshe, gjëndër konkurrimet e festivalit është edhe “Vizione Bashkëkohore”, për konkurrim në të cilin personeli i festivalit do të përzgjedhë nëntë filma (35mm) të produksioneve të fundit evropiane.
Ndërkaq konkurrimi në seksionin “Botë Ballkanike” përfshinë filmat më elitarë të prodhuar në rajon. Pjesë e këtij seksioni është edhe çmimi i Kritikës së Federatës Evropiane të Medias (Fiprisci), që ndahet për herë të në Shqipëri. Paralelisht, sikurse edhe në edicionet e mëhershme edhe sivjet do të mbahet gara për studentin më të mirë shqiptar të filmit me metrazh të shkurtër, sikurse edhe promovimi i kinematografisë shqiptare.
Natyrisht, nuk do të mungojnë as ligjëratat e kineastëve, e as seksioni i “takimeve për filmin dhe televizionin”.
Festivali Ndërkombëtar Veror i Filmit në Durrës filloi të mbahet në vitin 2008, ndërsa mision i tij kryesor është profesionalizimi i raporteve në të gjitha sferat e prodhimit të filmave.