E Shtunë, 31 Tetor 2026

Konfiskohen pije pa banderola

Dogana e Kosovës po vazhdon aksionin kundër ekonomisë informale. Gjatë aksionit, ku në shënjestër të kontrollit kanë qenë dy kompani në Graçanicë, janë konfiskuar 2 mijë e 357 litra pije të ndryshme alkoolike pa banderola. Në aksionin e organizuar, me përkrahjen edhe nga Policia e Kosovës, u zbuluan dhe konfiskuan më shumë se 2 mijë e 357 litra pije të ndryshme alkoolike pa banderola, pulla fiskale, prej te cilave verë 1 mijë 520 litra dhe pije te forta alkoolike 837 litra.

E tërë sasia e zbuluar nuk ka pasur pulla fiskale, çka nënkupton që janë produkte ilegale. Mallrat i janë nënshtruar konfiskimit, kurse Dogana e Kosovës ka hapur hetimet ndaj subjekteve tregtare tek te cilat janë gjetur këto pije. Dogana iu bën thirrje të gjithë qytetarëve të Kosovës, që të mos konsumojnë pije alkoolike pa pulla fiskale.

“Këto pije përveç që shkaktojnë humbje në taksa për buxhetin e Kosovës, gjithashtu dëmtojnë shëndetin e popullatës, pasi që janë të prodhuara ilegalisht dhe në mënyrë të pakontrolluar”, thuhet në një komunikatë të Doganave të Kosovës.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›