E Shtunë, 31 Tetor 2026

KESH, tender për shitjen e 200 milionë kilovatëve

Energjia

Të tjera fitime vijnë për Korporatën Elektroenergjetike Shqiptare, KESH, e cila dje mbylli tenderin për shitjen e 200 milionë kilovat/orë energji gjatë muajit shkurt. Drejtori i korporatës, Muharem Stojku, tha se ashtu si edhe gjatë janarit blerësit kryesorë janë shpallur kompanitë EGL, EFT dhe “Rudnap”. “Ne e kemi zhvilluar tenderin para dy ditësh dhe kanë dalë fituesit që janë përsëri dy kompani zvicerane dhe një serbe. Sasia që do shesim për këtë muaj është afërsisht 202 milionë kilovat/orë gjatë gjithë muajit ose me një mesatare ditore 7.2 milionë kilovat/orë në ditë. çmimi është afërsisht 45-50 euro për një mega”, tha Stojku. KESH po përfiton rreth 10 milionë euro në muaj nga shitjet e energjisë. Gjatë janarit janë shitur 10 milionë kilovat/orë energji në ditë. E gjitha kjo po mundësohet nga situata e kënaqshme hidrike, e cila e shfaq treguesin pozitiv në hidrocentralin e Fierzës. “Nivelet janë normale. Në Fierzë jemi në 287.6 metra. Me eksportet që po bëjmë mendojmë që deri në fund të muajit të ulemi me 1 metër, pra të shkohet në afërsisht në 286.5 metër dhe në fund të muajit shkurt mendojmë të shkojmë në 284-285 metër, sepse marsi parashikohet përsëri me shira”, tha Stojku. Aktualisht, KESH prodhon 26 milionë kilovat/orë në ditë. Diferenca me eksportin, rreth 16 milionë kilovat/orë në ditë i shitet OSSH, e cila furnizon tregun e brendshëm.

#

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›