Pritet të dalin nga qarkullimi automjetet me targat e vjetra

Plani
Projekti i Transportit Rrugor për targat A, B, C dhe D
Metropolit shqiptar po i mbarojnë targat dhe Drejtoria e Transportit Rrugor po shikon si zgjidhje reduktimin e tyre, të vendosura tek automjetet e vjetra. Shifrat zyrtare flasin për të paktën 126 mijë automjete të vjetra, që nuk qarkullojnë më për shkak të amortizimit, duke mbajtur peng targat. Projekti nuk ka përfunduar ende, por mësohet paraprakisht se do të hiqen nga qarkullimi targat A, B, C dhe D për Tiranën, duke parë mundësinë e zbatimit edhe në qytetin e Durrësit. Sipas drejtorisë që varet nga Ministria e Transporteve, heqja e automjeteve që mbajnë targat e katër germave të para të alfabetit do të jetë për një periudhë pesëvjeçare. Ndërkohë, Ministria e Transporteve po shqyrton variantet e përgatitjes së targave të tjera, që mund të jenë me më shumë shkronja, numra apo identifikime të tjera. “Shumë shpejt Ministria e Transportit do të aplikojë dhe modelin e ri një mjet një targë që do të sjellë dhe disa ndryshime të Kodit Rrugor”, deklaron një zyrtar i Drejtorisë së Transportit Rrugor.
Ndërkaq, vërehet një ulje e ndjeshme e importit të automjeteve të reja me kilometrazh zero. Shifra e këtyre automjeteve është rreth 50 për qind më e vogël se ajo e një viti më parë. Shkak për këtë është bërë kriza ekonomike botërore. Statistikat e Drejtorisë së Transporteve tregojnë se shqiptarët priren të blejnë automjete të reja, por kriza ekonomike në vendin tonë ka filluar të ndryshojë ndjeshëm shifrat e këtyre statistikave. Drejtuesit e automjeteve të vjetra shprehen se shkak për përdorimin janë çmimet e larta të automjeteve të reja. “çmimet e automjeteve të reja në treg janë të larta, ndërsa makinave të vjetra u ka rënë vlera e shitjes”, shprehet përdoruesi i një makine të vjetër në Tiranë. Edhe pse shteti ka bërë amnisti për taksat që ata i detyrohen, përdoruesit e këtyre automjeteve kërkojnë dëmshpërblim në rast se shteti vendos të nxjerrë nga qarkullimi mjetin e tyre.
#