E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Konflikt” kompetencash mes Kushtetueses dhe Kuvendit

22/12/2010  Kriteret e emërimit të gjyqtarëve, nis shqyrtimi për interpretimin e Kushtetutës

Gjykata Kushtetuese nisi dje shqyrtimin e kërkesës së një grupi deputetësh për interpretimin e disa neneve të Kushtetutës që lidhen me përbërjen dhe mënyrën e zgjedhjes së anëtarëve të Gjykatës së Lartë dhe asaj Kushtetuese. Fillimisht u dëgjuan palët, ku nga katër të tilla prezentë në sallën e gjyqit ishin vetëm dy: ajo kërkuese dhe Kuvendi si palë e interesuar. Mungonin përfaqësuesit e Presidencës dhe të qeverisë.

Përplasje kompetencash

I gjendur përballë trupës gjykuese, nismëtarit Viktor Gumi, deputet i PD-së, nuk kishte asnjë palë që ta kundërshtonte këtë nismë. Të vetmit që ngritën dyshime mbi kompetencat e institucioneve për ta shqyrtuar këtë çështje ishin vetë anëtarët e Kushtetueses. Në të gjitha pyetjet që ata u drejtuan deputetit Gumi dhe përfaqësuesit të Kuvendit Lulzim Lelçaj, u përqendruan te kufiri i kompetencave të vetë gjykatës dhe Kuvendit për ta zgjidhur këtë çështje. “Nuk është e domosdoshme që Gjykata Kushtetuese të shqyrtojë një çështje vetëm kur ka konflikt kushtetues. Kërkesa jonë ka të bëjë me saktësimin e elementeve procedurale. Qëllimi është që limiti i Kuvendit, limiti i Presidentit për të operuar në përzgjedhjen të natyrës politike ose të pasaktë të jetë sa më i vogël. Për sa kohë ne në praktikë kemi shqyrtime rast pas rasti, vlerësoj se duhet të standardizohet një procedurë e tillë emërimi, në kuptimin se cili është fizionomia e Gjykatës Kushtetuese për këtë proces, cili është rrethi i detyrave dhe detyrimeve që duhet të plotësojnë organet”, - tha Gumi. Në vijim ish-kryetari Vladimir Kristo në mënyrë të drejtpërdrejtë për këtë çështje, për të cilën Gumi pranoi se është kompetencë e Kuvendit, por se adresimi tek institucioni i Kushtetueses lidhej edhe me mungesën e votave të cilësuara për të miratuar ndryshimet në ligj. “Natyrisht që Kuvendi është për të miratuar ligje dhe natyrisht sipas Kushtetutës ligjet miratohen me 3/5. Një sërë faktorësh, aktorësh, situata politike ne nuk mund të sigurojmë në çfarëdolloj kohe një situatë të tillë me 3/5. Atëherë pjesë më logjike është ankimi në Kushtetuese për të na saktësuar kushtetutshmërinë, cilat janë rregullat”, - vijoi Gumi.

Relatimi

Në kërkesën që parashtroi në fillim të shqyrtimit deputeti i PD-së tha se procesi i përzgjedhjes së kandidaturave duhet të jetë një proces transparent dhe që në fillim ti nënshtrohen mekanizmit mbrojtës që në fazën embrionale, ndaj emërime të motivuara me konsiderata politike, ose të pasakta; kërkesa për paraqitjen e kandidaturave duhet të bëhet publike disa muaj para përfundimet të mandatit së bashku me listën e kritereve; lista e kandidatëve që kanë aplikuar të bëhet publike në kohën e duhur; dekreti i Presidentit të Republikës duhet të jetë i motivuar; gjatë vlerësimit të tyre Presidenti i Republikës duhet të marrë parasysh edhe vlerësimet e organeve kushtetuese apo organeve ku ka punuar kandidati për profesionalizimin: KLD, Ministria e Drejtësisë, Prokuroria e Përgjithshme, ILDKP apo dhe administrata tatimore dhe dhoma e tregtisë; pjesa e cilësuar e përbërjes së Gjykatës Lartë duhet ti përkasë gjyqësorit dhe një pjesë shumë e vogël të vijnë nga profesione të tjera jogjykatës.

Letra e Presidentit

Presidenti i Republikës i ka kryer atributet që i takojnë për sa i takon dekretimit të anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese dhe asaj të Lartë sipas Kushtetutës dhe ligjit dhe se i quan të plotësuara atributet ligjore për këtë çështje. Për këtë arsye ska asnjë mendim për të paraqitur.

Kuvendi

Zbatimi i normës që dikton ripërtëritjen me 1/3 sipas procedurës së caktuar me ligj, (ligji për Gjykatën Kushtetuese) lë përparësi ndaj normës që përcakton kohëzgjatjen 9 vjeçare. Në këtë kontekst alternativë mund të ishte një kohëzgjatje më e madhe e mandatit të gjyqtarëve.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›