Konflikt me armë, dy të plagosur
FUSHË-KRUJË/ Policia ka vënë në pranga 46-vjeçarin Genc Kasalla
FUSHË-KRUJË - Qëllon me armë zjarri kundërshtarin, por plagoset edhe vetë. Policia ka vënë në pranga 46-vjeçarin Genc Kasalla, ndërsa ndaj tij është ngritur akuza e vrasjes së mbetur në tentativë. Arrestimi i autorit është bërë në spital ku është zbuluar rastësisht pasi kishte shkuar të merrte mjekim për veten.
Ai akuzohet si autor i plagosjes së 26-vjeçarit Edmond Kadiu, i cili ka marrë një plag në sup. Burime nga policia saktësojnë se në konflikt ka marrë pjesë edhe i biri 17-vjeçar i autorit, i cili është shpallur në kërkim. Mësohet se ka qenë një konflitk i cili ka gjeneruar deri në përdorimin e armës nga ana e 46-vjeçarit.
Ngjarja ka ndodhur vetëm 300 metra larg banesës së autorit, ndërsa bëhet e ditur se në vendin ku është qëlluar janë gjetur 65 gëzhoja dhe se ka qenë fat që i riu ka shpëtuar vetëm me një plagë në shpatullën e djathtë.
Në cilësinë e provës materiale është sekuestruar një automatik "kallashnikov". Pas dërgimit në spital të Kadiut, policia ka vënë re se po në të njëjtin ambient ndodhej edhe Genc Kasalla, gjithashtu i plagosur, por jashtë rrezikut për jetën.
Dy janë pistat e ngritura deri më tani nga policia për rastin në fjalë. Si fillim dyshohet se një konflikt biznesi ka përballur Kadiun dhe Kasallën dhe ndërsa 26-vjeçari ka shkuar për të sqaruar problemin është ndeshur me fyerjet dhe kërcënimet e Kasallës e të birit.
Si rrjedhojë ai mund të ketë përdorur një armë duke qëlluar mbi 46-vjeçarin, i cili më pas ka marrë automatikun dhe e ka plagosur. Një tjetër variant është vetëplagosja e Kasallës si pasojë e keqpërdorimit të armës, çka vihet re nga fakti se nga 65 plumba të qëlluar vetëm një e ka kapur Kadiun.