Shpërthimi në fabrikën e çimentos, prangoset një i dyshuar
FUSHË-KRUJË - Një kilogram tritol është vendosur në transportierin e fabrikës së çimentos ditën e shtunë. Ky është konkluzioni në të cilin kanë dalë hetuesit e ngjarjes. Ndërkohë në pranga është vënë shtetasi Detjan Zalla, 26 vjeç, banor i fshatit Zallë të Fushë-Krujës.
Bëhet e ditur se shkak për vendosjen e sasisë së lëndës plasëse janë pikërisht protestat e shumta të banorëve të zonës lidhur me aktivitetin e fabrikës së çimentos që ka çuar në plasaritjen e disa prej banesave të tyre.
Sipas hetimeve rezulton se sasia prej 1 kg tritol nuk ka shpërthyer e gjitha, pasi mina e krijuar me një lidhje me qark elektrik ishte montuar joprofesionalisht, duke mos funksionuar kështu siç duhet. Çaktivizimi i sasisë së tritolit të mbetur është bërë nga specialistët e Tiranës. Policia bën të ditur se për minën ishte përdorur një sahat tavoline.
Aksidentet, një i vdekur, tre të plagosur
ELBASAN - Një 50-vjeçar ka humbur jetën teksa lëvizte me kamionin e tij me targa të Kosovës në rrugën rurale Belsh-Kajan të ngarkuar me inerte. Ngjarja ka ndodhur rreth orës 23:00 në afërsi të fshatit Kajan kur mjeti i drejtuar nga shtetasi Shaban Morina, 50 vjeç, ka dalë nga rruga dhe është përmbysur disa metra më tej.
Ngarkesa e zhavorit dyshohet se ka shkaktuar edhe humbjen e kontrollit nga ana e drejtuesit, i cili mori dëmtime të rënda dhe gjeti vdekjen rrugës për në spital. 50-vjeçari me banim në lagjen "Skënderbej" të qytetit të Elbasanit punonte në transportin e inerteve.
Një grup hetimor i mbërritur në vendin e ngjarjes ka dalë në përfundimin paraprak se errësira dhe ngarkesa mund të kenë shkaktuar humbjen e kontrollit të mjetit. I dëmtuari ka mbetur për pak kohë i bllokuar poshtë kamionit.
Me ndihmën e disa kalimtarëve është bërë e mundur nxjerrja dhe nisja drejt spitalit, por për të nuk ka pasur asnjë mundësi jete. Ndërkohë tre të dëmtuar ka qenë bilanci i një tjetër aksidenti, këtë herë në aksin nacional Peqin-Elbasan. Ngjarja ndodhi rreth orës 06:00 të mëngjesit të së hënës në fshatin Çopanaj.
Rigert Ibrahimi, 25 vjeç, duke drejtuar automjetin tip "Benz" me targë EL 5999 B ka humbur kontrollin e drejtimit të tij duke dalë nga rruga. Për pasojë janë dëmtuar drejtuesi i automjetit Rigert Ibrahimi, Ramina Hyseni, 20 vjeçe, me banim në Fier dhe Metije Shabani, 40 vjeçe, me banim në Vlorë. Të aksidentuarit janë transportuar për në spitalin e Elbasanit dhe ndodhen jashtë rrezikut për jetën.
Vjedhjet, zbulohen si autorë dy të mitur
LIBRAZHD - Dy të mitur janë zbuluar si autorë të një vjedhjeje në Librazhd. Policia ka prangosur 15-vjeçarin me inicialet I.M., pasi akuzohet se në bashkëpunim me një të mitur 13 vjeç me banim në fshatin Prevallë të komunës Lunik kanë vjedhur dyqanin e një shtetaseje.
Dy të rinjtë kanë arritur të marrin gjithçka kanë mundur në lokal, por shuma nuk ka qenë e konsiderueshme. Ata janë parë nga persona të tjerë edhe pse kanë mundur të largohen nga vendi i vjedhjes. Policia ka rënë në gjurmë dhe ka bërë arrestimin e njërit prej tyre, i cili do të përgjigjet për veprën penale të vjedhjes.
Policia, më shumë siguri për kaptazhet
SHKODËR - Pavarësisht shpërdorimit të ujit të pijshëm, i cili gjatë sezonit të verës arrin në nivele të larta, problematike për ndërmarrjen e ujësjellësit mbetet ruajtja e kaptazheve ose ndryshe pikave të grumbullimit të ujit të pijshëm në qytetin e Shkodres.
Ka qenë inspektori i policisë së Shkodrës, Ridvan Bushati, i cili gjatë mbledhjes së organizuar në prefekturën e Shkodrës në lidhje me uljen e numrit të shpërdoruesve të ujit të pijshëm u ka bërë apel ndërmarrjeve të ujësjellës-kanalizimeve si në qytet, ashtu dhe në fshat që të marrin masa ose të kërkojnë ndihmën e organeve kompetente për ruajtjen e këtyre pikave, të cilat mund të shkaktojnë ndonjë fatkeqësi për masën e gjerë të banorëve. Ruajtja e kaptazheve është nga problemet e ngritura prej kohësh nga drejtuesit e policisë së Shkodrës.
Por e njëjta situatë paraqitet sërish pavarësisht se tashmë diçka është bërë në këtë drejtim me rrethimin e kaptazheve në Dobrac, çka jep pak më shumë garanci se më parë.