E Diel, 1 Nëntor 2026

Grinden, 30 plumba shtëpisë së fqinjit

SHKODËR/ Policia ka vënë në pranga Xhaferr Hoxhën i cili plagosi një 19-vjeçare


SHKODËR - Një konflikt i përditshëm ka rrezikuar jetën e një familjeje në Laç të Vaut të Dejës. 30 plumba janë qëlluar nga një 60-vjeçar, ndërsa e plagosur ka mbetur një 19-vjeçare. Burime nga policia bëjnë të ditur se Xhafer Hoxha dhe Medi Smajli, fqinj në Laç të Vaut të Dejës, herë pas here kishin konflikte mes tyre.


Grindjet e vazhdueshme kanë qenë edhe për arsye banale, megjithatë gjakrat mes dy familjeve janë nxehur. Kështu ditën e djeshme, Xhafer Hoxha ka hyrë në shtëpinë e Medi Smajlit, 47 vjeç, dhe ka qëlluar me një armë automatike. 30 plumba janë zbrazur në shtëpinë e fqinjit, ndërsa në të ndodhej Mediu, bashkëshortja, djali dhe vajza.


Fatmirësisht gjithçka ka përfunduar vetëm me plagosjen e 19-vjeçares Lumnije Smajli. Pasi janë dëgjuar të shtënat në vendngjarjen kanë mbërritur efektivë të policisë të cilët kanë bërë të mundur edhe neutralizimin e 60-vjeçarit.


Ka qenë kryepolici i zonës që ia ka marrë automatikun Hoxhës, si dhe e ka vënë në pranga. Gjatë hetimeve ka rezultuar se në shtëpinë e mbushur me vrima nga plumbat, ndodheshin 30 gëzhoja. Dyshohet se autori ka konsumuar pije alkoolike para se të kryente tentativën për vrasje. Pas arrestimit ndaj tij janë ngritur akuzat e "vrasjes së mbetur në tentativë" dhe "armëmbajtjes pa leje".

 

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›