Gruaja e të zhdukurit: Më kërcënojnë
Etleva Delia
Rolanda Bulku, bashkëshortja e tregtarit Arjan Bulku, i cili është denoncuar i zhdukur prej gati 3 muajsh, paraqiti dy ditë më parë kallëzim në Komisariatin nr.6 në Tiranë, për kërcënime dhe fyerje të vazhdueshme në telefon.Grupi hetimor ka zbardhur disa nga tekstet e mesazheve të mbërritura nga dy numra të ndryshëm në telefonin e Rolanda Bulkut dhe seksioni i Krimeve Kundër Jetës dhe Shëndetit ka nisur hetimet, duke vënë në përgjim dy numrat që ka denoncuar Rolanda Bulku. "... do të vrasim edhe ty si Arjanin. Ti je shkaktare për të gjitha çfarë i kanë ndodhur atij". Ky është një nga mesazhet kërcënuese në telefonin e bashkëshortes së tregtarit Arjan Bulku. Gruaja tregon se pothuajse në të gjitha mesazhet, personat e panjohur i drejtohen me fjalë ofenduese dhe më pas e kërcënojnë me jetë. "...nuk do t'i gëzosh kurrë pronat e tij dhe as fëmijët...", është një tjetër tekst mesazhi që pretendohet të ketë mbërritur në adresë të gruas së tregtarit të zhdukur. Policia tha se gjatë kallëzimit që ka bërë në komisariatin e Kombinatit, Rolanda Bulku ka pretenduar se nuk njeh asnjërin prej numrave që i dërgojnë mesazhe. Gjatë kohës së kërcënimeve, ajo nuk ka mundur të ketë asnjë lidhje telefonike me personat që i kanë dërguar mesazhet, në mënyrë që të kuptojë nëse janë meshkuj apo femra personat që e fyejnë dhe e kërcënojnë.
ZHDUKJA
Arjan Bulku, pronar i një lokali në "Qytetin e Nxënësit" në Tiranë, është larguar nga shtëpia më 27 dhjetor 2009 dhe asnjë prej familjarëve nuk ka dijeni për vendndodhjen e tij. Rreth 23 ditë pas denoncimit për zhdukjen e pronarit të një lokali në Tiranë, Arjan Bulku, forcat e policisë kanë arritur të gjejnë makinën e tij në një zonë periferike të kryeqytetit. Automjeti tip "Golf 3", me targë TR 19 47 S dhe me ngjyrë të verdhë, është gjetur në një prej parkingjeve të pallateve te zona e njohur si "Fresku" në Tiranë. Burime nga grupi hetimor thanë se pas kontrollit të imtësishëm të automjetit të 39-vjeçarit Bulku, nuk u gjet asnjë objekt që mund të ndihmonte policinë për të zbuluar vendndodhjen e tij. Makina u sekuestrua në cilësinë e provës materiale, deri sa të përfundojë hetimi i ngjarjes.
HETIMI
Pas denoncimit që Rolanda Bulku ka paraqitur në Komisariatin e Kombinatit, Policia e Tiranës ka nisur hetimet për "kanosje" dhe "përdorim me keqdashje të thirrjeve telefonike". Grupi hetimor ka sekuestruar tabulatet telefonike të bashkëshortes së Arjan Bulkut, ndërsa ka nisur verifikimin e numrave që i kanë dërguar mesazhet kërcënuese asaj. Burime nga policia thanë se vetë bashkëshortja e tregtarit të zhdukur, pretendon se nuk njeh asnjë prej numrave që i dërgojnë mesazhe. Ajo ka thënë se ka tentuar disa herë që të lidhet me ta në telefon, por ata rezultojnë të fikur herë pas here, ose nuk i hap askush që të përgjigjet, qoftë edhe për të dëgjuar një zë nga ana tjetër e telefonit.
Pistat e zhdukjes së tregtarit: Largim me dëshirë dhe rrëmbim
TIRANE - Menjëherë pasi pronari i një lokali te "21 dhjetori", Arjan Bulku, u denoncua i zhdukur në fillim të vitit që shkoi, policia ka marrë deklarime edhe nga disa banorë të lagjes ku ndodhet familja e tij. Ata janë shprehur se nuk ishin në dijeni të ndonjë konflikti të mundshëm të tij. Të njëjtën gjë kanë deklaruar edhe familjarët e biznesmenit. Dy ditë pas denoncimit të familjarëve në Komisariatin nr.6 të Policisë në Tiranë, 39-vjeçari "i zhdukur" Arjan Bulku dyshohet se është parë në lagjen Kombinat nga një i afërm i tij. E menjëherë pas kësaj dëshmie, kanë qenë nipi i tij, i cili ka deklaruar për policinë se bashkë me të vëllain e kanë parë Bulkun sërish në Kombinat, duke blerë një gjel deti. Burime nga policia thanë se një tjetër dëshmitarë ka deklaruar se e ka parë atë më datë 30 dhjetor 2009, duke u futur në një motel në rrugën e Ndroqit në Tiranë. Këto dëshmi kanë qenë një provë e rëndësishme për policinë, për të përforcuar dyshimet për largimin me dëshirë nga banesa të 39-vjeçarit. Përveç largimit të tij me dëshirë, policia po heton edhe një rrëmbim të mundshëm të tij, edhe për faktin se makina e tij është gjetur e braktisur në një zonë periferike të kryeqytetit.