Konflikt për pronat, arrestohet polici për tentativë vrasjeje
Pas një konflikti të filluar prej disa kohësh midis pronarit të një trualli dhe ndërtuesit të pallatit mbi atë truall, ka përfunduar në përdorimin e armëve. Ngjarja ka ndodhur rreth orës 15:00, në zonën e njohur “Fresku” në Tiranë, ku rezultati i konfliktit ka qenë dy të plagosur. Policia ka bërë edhe arrestimin e dy shkaktarëve të kësaj ngjarjeje, “Ylli Ceka, 41 vjeç, me detyrë punonjës policie, pranë repartit 712 në Tiranë, dhe Julian Pusha, 30 vjeç, me banim në Tiranë”, njoftoi policia e Tiranës. Fillimisht, grindja ka ndodhur për motive pronësie, ku autori i dyshuar Ylli Ceka së bashku me dy vëllezërit e tij, janë konfliktuar me Julian Pushën. Por kur ky i fundit ka plagosur me sende të forta vëllain e autorit, Bashkim Ceka, 44 vjeç. Efektivi i policisë ka nxjerrë armën e shërbimit duke qëlluar në drejtim të Edvin Voglit, 35 vjeç, i cili u dërgua menjëherë në Spitalin Ushtarak në Tiranë në gjendje të rëndë shëndetësore.
Në vendin e ngjarjes menjëherë shkuan forca të Hetimit të Krimit të Komisariatit të Policisë nr. 4 Tiranë, si dhe oficerë Kundër Krimeve ndaj Lirisë së Personit dhe Shëndetit, të cilët kanë bërë edhe këqyrjen e vendit të ngjarjes si dhe po sqarojnë më tej rrethanat e kësaj ngjarje. Ndaj autorit të dyshuar, shtetasit Ylli Ceka, është marra masa e arrestit në flagrancë, për konsumim të veprës penale të “Tentativës së vrasjes”, ndërkohë që është marrë edhe masa e arrestit në flagrancë për veprën penale të “Plagosjes së rëndë me dashje” ndaj Julian Pushës, i cili dyshohet se gjatë konfliktit ka plagosur me sende të forta Bashkim Cekën, i cili ndodhet në spital, jashtë rrezikut për jetën.