Mashtroi me dëftesën, ndalohet polici i burgut
FUSHE KRUJE - Mashtroi për herë të dytë policinë për arsimimin e tij, ndalohet efektivi i burgut të Fushë-Krujës. Sipas burimeve, pas hetimit të strukturave të SHKB-së, dje u ndalua rreth orës 14:30 kolegu i tyre, Liman Saliu nga Lezha. Mësohet se ai kishte vetëm tre muaj që ishte punësuar në këtë burg, ndërsa prej shumë kohësh kishte qëndruar i papunë për shkak se ishte përjashtuar edhe më parë nga policia për falsifikim të diplomës. Por këmbëngulja e tij për t'iu bashkuar radhëve të policisë ka vijuar, duke falsifikuar për herë të dytë dëftesën e pjekurisë. Mësohet se efektivi i burgut që u ndalua dje kishte 8 klasë, ndërsa në dosjen e tij në polici rezultonte dëftesa e shkollës së mesme. Tashmë në hetim do të jetë edhe shkolla ku ai është pajisur me këtë dëftesë. r.n