E Diel, 1 Nëntor 2026

Gjyqtarët italianë: Mos bini pre e presioneve

Gjykata Kushtetuese italiane, ka mbështetur homologen e saj shqiptare në betejat e saj, në mbrojtje të Kushtetutës.


Gjykata Kushtetuese italiane inkurajon homologët e saj shqiptarë që t'i bëjnë ballë presionit të politikës dhe të mos ndikohet në vendimmarrjen e tyre lidhur me çështjet që kanë në shqyrtim. Mesazhi i qartë vjen nga kreu i Gjykatës Kushtetuese italiane, Francesko Amirante, pikërisht në një moment kur gjyqtarët tanë kushtetues po përballen me një betejë, sa ligjore aq edhe morale, me mazhorancën qeverisëse, lidhur me ligjin e shumëdebatuar të dosjeve të ish-bashkëpunëtorëve të Sigurimit të Shtetit.


Vizita
Një delegacion i Gjykatës Kushtetuese të Republikës italiane, i kryesuar nga Kryetari i saj, Francesco Amirante, po zhvillon një vizitë zyrtare në Shqipëri, në datat 16-19 prill 2009. Gjatë ditës së dytë të kësaj vizite, gjyqtarët kushtetues italianë janë pritur në një takim edhe nga Kryetari i Gjykatës sonë Kushtetuese, Vladimir Kristo, ku u diskutua lidhur me përvojat e të dyja këtyre gjykatave, si dhe për nevojën e shkëmbimit të eksperiencave. Gjatë këtij bashkëbisedimi nuk janë lënë mënjanë dhe çështjet që shqetësojnë sot vendimmarrjen e këtyre gjykatave, sidomos kur bëhet fjalë për çështje që kanë një impakt të gjerë te komuniteti. Nisur pikërisht nga eksperienca italiane, Amirante u kërkoi homologëve shqiptarë që t'u bëjnë ballë presioneve, për të mos ndikuar në dhënien e vendimeve. "Gjykatat kushtetuese, shpesh gjenden në presione të forta, por pikërisht në këto momente, atyre u takon të qëndrojnë fort, duke siguruar integritetin e tyre dhe mbrojtjen e Kushtetutës", - tha Amirante. E, duke u ndalur edhe tek ligji i lustracionit, i cili është bërë objekt i një debati të gjerë në vend, gjyqtari italian nuk ka dashur të përfshihet në një gjykim të tij, por ka folur parimisht se, veprimtaria e gjykatave kushtetuese është që të garantojnë të drejtat e individit. Dhe, nisur nga ky parim, ai ka bërë të qartë se çdo ligj tjetër që bie ndesh me Kushtetutën, duhet të gjykohet si i tillë. "Nuk është në praktikën e jurisprudencës hartimi i ligjeve që mund të bien ndesh me parimet kushtetuese. Gjykatat kushtetuese janë krijuar për të mbrojtur dhe garantuar të drejtat e individit dhe ato janë një ekuilibër për balancimin e pushteteve", - tha Francesko Amarante, kreu i Gjykatës Kushtetuese italiane.


Topi
Gjatë ditës së djeshme, delegacioni i gjyqtarëve kushtetues italianë, është pritur në një takim të veçantë edhe nga Presidenti i Republikës, Bamir Topi, ku, natyrisht, vend parësor ka zënë ecuria e reformave në fushën e drejtësisë. Presidenti Topi, pasi përshkroi reformat e ndërmarra në vend, si në gjyqësor, reformën zgjedhore, të miratuara me një konsensus të gjerë politik, vlerësoi ndihmesën dhe mbështetjen e vazhdueshme të shtetit fqinj, Italisë, për anëtarësimin e Shqipërisë në NATO dhe përparimin drejt integrimit në gjirin e familjes së madhe evropiane. Ndërkohë që, nga ana e tij, kryegjyqtari italian, Amirante, ka vënë theksin në rolin që mund të luajë institucioni i kreut të shtetit në mbështetjen e institucioneve të drejtësisë, siç është edhe rasti i Gjykatës Kushtetuese. Amirante vlerësoi lart rolin dhe kontributin e Presidentit Topi dhe punën e madhe të bërë nga Këshilli i Lartë i Drejtësisë gjatë procesit të reformimit gjyqësor në vendin tonë dhe përparimet e shënuara jo vetëm në dhënien e drejtësisë, por edhe në rritjen e besimit në sistemin gjyqësor, duke theksuar që njerëzit e drejtësisë kanë gjithmonë nevojë për më tepër inkurajim dhe mbështetje, në vendosjen përfundimtare të shtetit ligjor dhe sigurimin e pavarësisë së plotë të tij.

 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›