Topi dekreton ligjin e të përndjekurve politikë
Ka marrë fund debati mbi ndryshimin e ligjit të shumëdiskutuar për dëmshpërblimin e të përndjekurve politikë. Presidenti i Republikës, Bamir Topi, i ka hapur rrugë zbatimit të tij, duke dekretuar ndryshimet e miratuara vetëm me votat e mazhorancës qeverisëse. Me ndryshimet e bëra në ligj, bëhet i mundur zgjerimi i rrethit familjar, që përfiton të drejtën e dëmshpërblimit, në rastet kur i dënuari nuk ka lënë pasardhës të drejtpërdrejtë, si dhe zgjerohet lista e kategorive të dënimeve që u lind e drejta për t'u dëmshpërblyer, edhe me të gjithë ata që, gjatë sistemit komunist, janë burgosur apo pushkatuar si bashkëpunëtorë të pushtuesve të huaj, gjatë viteve të Luftës së Dytë Botërore. Pikërisht dëmshpërblimi i kolaboracionistëve të pushtuesve, u bë shkak për një ndarje të madhe mes pozitës dhe mazhorancës, gjatë diskutimit të amendimeve, si në Komisionin e Ligjeve, ashtu edhe në seancë plenare. Socialistët u shprehën pro parimisht ndryshimeve të deputetit Bushati, i cili ishte dhe iniciues i këtij mendimi të ligjit, por ndryshuan qëndrim rrugës, gjatë diskutimit të tij në Komisionin e Ligjeve, ku mazhoranca solli dhe 13 nene të tjera shtesë, si propozime për të ndryshuar ligjin bazë. Shkak u bë pikërisht përfshirja e bashkëpunëtorëve të pushtuesve fashistë gjatë luftës dhe që gjatë regjimit komunist janë dënuar për tradhti ndaj vendit, në listën e kategorive që duhet të dëmshpërblehen si të dënuar politikë. Opozita e cilësoi këtë akt si një provokim që i bëhet së majtës në Shqipëri dhe një goditje e fortë që i bëhet Luftës Nacionalçlirimtare, por edhe vetë ish-të përndjekurve, të cilët sipas këtyre ndryshimeve, baraspeshohen me kolaboracionistët e pushtuesit.