E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rama: Berisha të ulet në tryezën e bisedimeve

Kreu i PS-së ka ftuar mazhorancën që të ulet në bisedime për të zgjidhur problemin e kartave.


Në të kundërt, socialistët kërcënojnë se do të thërrasin protesta qytetare në të gjithë vendin.


Partia Socialiste jep alarmin se, krahas krizës ekonomike, vendit po i kanoset çdo ditë e më shumë edhe kriza politike, që po vjen si pasojë e mungesës së një reagimi pozitiv nga ana e qeverisë, për të pranuar propozimin e opozitës për të shpërndarë kartat falas për të gjithë ata shtetas që nuk kanë pasaportë. Në një dalje të posaçme për mediat, kreu i socialistëve, Edi Rama, pasi ka evidentuar situatën e rëndë në të cilën ndodhet vendi për shkak të indiferencës që po tregon qeveria, i ka bërë apel edhe një herë Kryeministrit Berisha, që të pranojë të dyja krizat dhe të marrë masat e duhura për të bërë të mundur që efektet e tyre të jenë sa më të pakta. Madje, për të nxjerrë vendin nga kjo situatë dhe për të parandaluar një përkeqësim të procesit të pajisjes së qytetarëve me karta, ai është shprehur i gatshëm që, së bashku edhe me ekspertët respektivë, të ulet në një tryezë me rivalin e tij politik, Kryeministrin Sali Berisha, për të gjetur zgjidhjet e duhura, në mënyrë që asnjë qytetar pa pasaporta të mos mbetet pa votuar. "Kriza ekonomike është mes nesh, në çdo familje e sipërmarrje shqiptare. Kriza politike duhet shmangur prej nesh, me angazhimin e të dyja palëve dhe mospërjashtimin e asnjë qytetari shqiptar nga procesi zgjedhor. Do apo s'do qeveria, në këtë vend janë qindra mijëra familje, që nuk e përballojnë dot taksën e votës dhe askush nuk mund të mbetet pa votuar, sepse nuk paguan dot për kartën e tij të identitetit. Ne jemi gati të ulemi për ta zgjidhur këtë nyje që rrezikon të mbysë zgjedhjet", - tha Rama në fjalën e vet. E, duke qëndruar në këtë çështje, ai ka bërë të qartë se PS-ja është e gatshme që në këtë tryezë të hedhë dhe propozimet konkrete për zgjidhjen e situatës dhe shpëtimin e procesit të ardhshëm zgjedhor, i cili është vlerësuar si një test i rëndësishëm për ecurinë e mëtejshme integruese të vendit në BE. "Ne kemi zgjidhje, nëse qeveria do vërtet të bëjë zgjedhje. Ne e dimë si zgjidhet kjo krizë paaftësie e papërgjegjshmërie, nëse Sali Berisha nuk ka qëllimin e mbrapshtë të manipulimit të zgjedhjeve", - u shpreh më tej kryesocialisti. Gjithashtu, ai ka siguruar se socialistët nuk do të rreshtin së sensibilizuari çdo faktor që do të mund të ndikonte sadopak në evitimin e kësaj krize. Ky ishte, sipas tij, edhe qëllimi i largimit demonstrativ të opozitës nga salla e Kuvendit dy ditë më parë. "Dje, opozita jonë doli nga Kuvendi jo për ta bojkotuar atë, po për të rritur nivelin e shqetësimit publik për dështimin që kërcënon zgjedhjet, ngaqë Kryeministri vazhdon t'u mohojë të drejtën e votës qindra mijëra qytetarëve, duke bërë shurdhin ndaj kambanës së alarmit tonë, për pasojat katastrofike të taksës së votës", - deklaroi Rama. Në të kundërt, Rama ka ripërsëritur edhe një herë vendosmërinë e socialistëve për të ngritur në këmbë çdo shqiptar, për të protestuar për problemin e kartave, si një çështje thellësisht e lidhur me çështjen e votës. "Jemi, po ashtu, gati të ngrihemi në të gjithë Shqipërinë, nëse ata që e sollën procesin deri në këtë pikë të hallit, duan ta mbajnë pushtetin pa zgjedhje të lira e të ndershme të standardeve euroatlantike", - tha Rama. Ndërsa duke u ndalur tek kriza ekonomike, Rama nuk ka nguruar të heqë vija paralele midis saj dhe krizës që shkaktuan firmat piramidale në vitin 1996. Kjo krizë, sipas tij, ishte dhe shkaku i shkarkimit nga detyra i kryedoganierit që u akuzua se nuk kishte mundur që të realizonte planin e zhdoganimeve. "U shkarkua drejtori i doganave për rënien e të ardhurave nga doganat, por në fakt rënia e frikshme ka ardhur si pasojë e krizës ekonomike, të cilën Kryeministri vazhdon ta mohojë, duke e qeverisur Shqipërinë si pronar i një firme piramidale dhe duke bërë shurdhin ndaj kambanës së alarmit të Fondit Monetar Ndërkombëtar, njësoj si në vitin famëkeq 1996", - u shpreh kryesocialisti.

 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›