PS, tre numra llogarie bankare për fushatë
Partia Socialiste fton qytetarët që ta mbështesin financiarisht, duke dhuruar donacione në banka
Fushata e suksesshme elektorale që zhvilloi Presidenti aktual amerikan, Barack Obama, është shndërruar në një shembull që duhet ndjekur edhe për klasën tonë politike. Në këtë prag fushate, partitë kryesore në vend kanë nisur të shfaqin gjithmonë e më shumë elementë të kopjuar prej saj, jo vetëm në aspektin teknik dhe organizativ, por edhe në mënyrën e sigurimit të fondeve. Në vazhdën e eksperiencës amerikane, Partia Socialiste ka nisur të aplikojë, si një risi në politikën shqiptare, financimin nga qytetarët. Nuk bëhet fjalë për fushatat e mbledhjes së fondeve në rrugë, por për një skemë tjetër më të zhvilluar, atë të dhurimit të financimeve nëpërmjet internetit në llogaritë bankare. Kështu, PS-ja ka publikuar në faqen e saj zyrtare www.ps.al, tre numra llogarie bankare, 202020, 303030, 404040, ku fton qytetarët që dëshirojnë të ndihmojnë këtë forcë politike, të derdhin donacionet e ndryshme financiare. Tre numrat e mësipërm janë hapur që në datën 9 prill, dhe në to mund të dhurohen pará edhe nëpërmjet derdhjes së tyre pranë sporteleve të bankës. Ndërkohë që kjo skemë e derdhjes së donacioneve të ndryshme përbën dhe një lehtësi për transparencën e financimit të forcave politike, një pikë kjo që për gjatë gjithë këtyre viteve demokraci, ka mbetur e errët. Kodi Zgjedhor lejon që subjektet zgjedhore të marrin, për qëllime të fushatës së tyre zgjedhore, fonde vetëm nga persona fizikë ose juridikë vendas, pra ata persona fizikë vendas edhe shtetas shqiptarë me banim jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë. Shuma që çdo person fizik ose juridik mund t'i japë një subjekti zgjedhor, nuk mund të jetë më e madhe se 1 milion lekë ose kundërvlefta në sende ose shërbime. Çdo subjekt zgjedhor, në bazë të ligjit elektoral, duhet të regjistrojë në një regjistër të posaçëm, miratuar si model me vendim të KQZ-së, shumën e fondeve të përfituara për çdo person fizik ose juridik, si dhe të dhënat e tjera që lidhen me identifikimin qartë të dhuruesit, kërkesa këto që, nëpërmjet dhurimit në bankë, bëhen plotësisht mundura dhe të kontrollueshme. Lista e personave që dhurojnë shuma jo më pak se 100 mijë lekë, si dhe vlera përkatëse, duhet të bëhen kurdoherë publike.