Ndryshon stil, tani eurogol
Hamdi Salihi, bomberi i përfaqësueses shqiptare nuk ndalet së shënuari te Rapidi i Vjenës. Shkodrani ka realizuar dje golin e tretë në fitoren 3-1 kundër Kapfenbergut. Shqiptari e nisi nga stoli takimin e ndjeshëm dhe u aktivizua vetëm në minutën e 67-të, atëherë kur ndeshja ishte 2-0 në favor të ekipit të tij. shkodrani ka pasur menjëherë një rast të mirë për të shënuar, por topi i gjuajtur prej tij në minutën e 69-të është devijuar në vijën fatale nga një prej mbrojtësit e skuadrës kundërshtare. Rapidi ka dominuar tërësisht lojën, por në minutën e 78-të miqtë kanë ngushtuar rezultatin dhe më pas po kërkonin golin e barazimit. Megjithatë, ka menduar bomberi shqiptar për të mbyllur llogaritë, teksa në minutën e 85-të ka shënuar një eurogol. Ishte një aksion i Rapidit, i cili me anë të një kundërsulmi ka gjetur të papërgatitur mbrojtjen kundërshtare. Hofman dha një pasim në gjysmë lartësie nga e djathta dhe Salihi bernda në zonë, pasi bën një gjysmë-roveshatë ndëshkon Kapfenbergun duke e dërguar topin në rrjetë, edhe pse ishte i markuar nga dy mbrojtës kundërshtarë. Është interesantë fakti që edhe këtë herë Salihi ka shënuar sërish në dhjetë minutat e fundit të takimit.