E Shtunë, 31 Tetor 2026

Burrat pasiv në familje, i nënshtrohen grave

 

Kohët e fundit duket se
    janë shtuar rastet e
    dhunës në familje, kryesisht të burrave që dhunojnë gratë. A ka raste kur gratë dhunojnë burrat? Cilat mund të jenë arsyet që çojnë gratë në këto veprime?
Në gjykatën e Tiranës ku unë punojë, veshët ushqehen çdo ditë me histori dhune, sidomos të burrave që rrahin gratë. Historitë e tyre mbulojnë një pjesë të mirë të çështjeve familjare, divorceve, dhe prej disa kohësh urdhrat e mbrojtjes që çdo ditë paraqiten në një numër shumë të madh. Ky është një realitet tashmë i njohur dhe asnjëherë mjaftueshëm i folur. Po a ka raste kur gratë dhunojnë burrat? Unë do të thosha që raste të kësaj natyre ka, por nuk dalin në sipërfaqe pasi dhuna ndaj grave është kaq e madhe sa zhvleftëson bindshëm atë ndaj burrave. Sot, gratë kanë përvetësuar besime të tjera mbi rolin e grave në shoqëri dhe kërkesat e tyre ndaj vetes kanë ndryshuar. Çdo ditë luftohet për arritjen e barazisë gjinore. Shpesh herë me këtë përpjekje për barazi mund të spekulohet. Gratë fillojnë të bëhen më agresive ndaj burrave dhe burrat fillojnë t’i nënshtrohen disa rregullave për të përfituar një qetësi të domosdoshme partneriteti dhe e kundërta. Gratë në Shqipëri ndoshta e kanë shumë më të vështirë të arrijnë në këto nivele, por në një shtresë të shoqërisë ka filluar të integrohen nocionet e para të barazisë gjinore. Në të gjitha rastet dhuna është e dënueshme dhe e patolerueshme. Mbi të gjitha duhet të kuptojmë që dhuna nuk nënkupton vetëm atë fizike, por kemi dhunë psikologjike, ekonomike, verbale, etj.
-Si reagojnë burrat ndaj grave?
Në rastin më të keq, burrat mund të reagojnë gjithashtu me të njëjtin nivel dhune. Ka shumë burra që i nënshtrohen grave të tyre pasi roli në familje që ata kanë është shumë pasiv. Ka shumë raste kur ata nuk japin kontribut të mjaftueshëm për sigurimin e bashkëpartneritetit familjar dhe gratë gjejnë terren për t’i nënshtruar burrat.
Unë do të thosha që tranzicioni ndër vite në Shqipëri, përballja e shumë familjeve me vështirësi në terrenin e punës që ekonomia e tregut ofron dhe vështirësia në përditësimin me realitetin e në nesërmes ka sjellë shumë stres në familjet shqiptare. Duke qenë se roli i mashkullit është parë si “gjuetari” që siguron ushqimin, të ardhurat, shpesh ky rol nuk plotësohet nga burrat, në pamundësi apo kompetencë, dhe në këtë kontekst mund të lind një dhunë në familje. Ata, burrat kanë qenë disa herë viktimë e kësaj situate.
 -Ç’ndodh në rastet kur kërkohet mbrojtje në gjykatë. Kujt i jepet të drejtë? A çojnë këto raste në divorc?
Ka pasur disa raste në gjykatë që fillimisht duken si qesharake, por ato kanë shprehur dhimbjen e një babai p.sh. që nuk arrinte të ushqente dot familjen dhe e vetmja punë që dinte të bënte ishte në minierë. Gruaja e tij e pakënaqur ushtronte çdo ditë dhunë psikologjike ndaj atij dhe së fundmi edhe dhunë fizike pasi ajo pohonte se i shoqi konsumonte shumë alkool dhe kjo po shkatërronte familjen. Pra siç e shikoni, problematikat janë shumë të ndërthurura me njëra tjetrën dhe nuk mund t’i shohim të izoluara. Shpesh herë i është dhënë e drejta dhe burrave, por në të shumtën e rasteve, burrat nuk kërkojnë mbrojtje por divorc.
-Po në rastet kur në familje ka edhe fëmijë. Si perceptohet nga këta të fundit, dhuna e nënës ndaj babait?
   Rastet ku ka fëmijë janë dhe ato me delikatet, sidomos kur ka fëmijë të gjinisë mashkullore. Mendoni për pak çaste modelin familjar dhe prindëror që ky fëmijë merr kur shikon të atin që dhunohet nga nëna apo dhe e kundërta, kur vajza shikon nënën që dhunohet nga i ati. çfarë vetvlerësimi do kenë këta fëmijë për veten e tyre? Çfarë vlerësimi do kenë ata për jetën? Për partnerin e ardhshëm? Për familjen? Cilat do të jenë pra modelet? Ndaj dhe dhuna në familje duket sikur nuk mbaron asnjëherë, sepse modelet që transmetohen brez pas brezi nuk mbarojnë asnjëherë.
 -Sa ndikon arsimimi, vendi, kultura... në shkaktimin e kësaj dhune?
Të gjitha këto të marrë bashkë ndikojnë bindshëm në fenomenin e dhunës në familje pasi janë faktorë determinues në zhvillimin e personalitetit të njeriut. Jo se në shoqëritë e zhvilluara dhuna nuk ekziston, por mundësia që kjo dhunë të reduktohet, të shuhet, të kurohet është më e madhe se në një shoqëri primitive, ku konteksti është më i volitshëm, kultura mbart vlera arkaike të të jetuarit, arsimimi i ulët nuk ndihmon në asnjë rast të të kuptuarit më mirë të realitetit famëkeq të dhunës.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›