Del nga shinat treni me 150 pasagjerë
Incident mbi shina, treni i pasagjerëve të linjës Tiranë-Shkodër del jashtë tyre. Pasditen e së premtes, pasagjerët e trenit që lidh Tiranën e Durrësin me kryeqendrën e Veriut, Shkodrën, janë tronditur nga dalja jashtë shinave e njërit prej vagonëve.
Treni me tre vagonë sapo kishte lënë pas stacionin hekurudhor të Lezhës kur ndodhi dalja e njërit prej tyre. Ngjarja ka ndodhur rreth orës 15.50 të ditës së djeshme. Drejtues të Hekurudhës Shqiptare në Durrës pranuan se në vagon ka pasur udhëtarë, pa saktësuar numrin dhe garantuan se asnjëri prej tyre nuk është dëmtuar. Të gjithë janë ndihmuar të dalin nga treni dhe të vijojnë udhëtimin me autobus. Ndërkohë, burime nga vendi i ngjarjes thanë për gazetën “Shqip” se në tren ndodheshin rreth 150 pasagjerë, kryesisht banorë të zonave rurale mes qyteteve të Lezhës dhe Shkodrës.
Menjëherë Drejtoria e Përgjithshme e Hekurudhave Shqiptare ka urdhëruar që në shërbim të pasagjerëve të trenit të vihet një autobus për të transportuar njerëzit në stacionin e radhës. Ndërkaq nuk janë përcaktuar ende qartë shkaqet e këtij incidenti në linjat e hekurta shqiptare.
Drejt vendit të ngjarjes në Lezhë kanë shkuar inspektorë hekurudhorë që do të vlerësojnë rastin dhe saktësojnë shkakun. Paraprakisht mendohet se incidenti ndodhi për shkak të kalbjes së traversave të drurit, të cilat nuk janë zëvendësuar me traversa betoni në këtë pjesë të linjës. Gjithsesi, përveç amortizimit të linjës hekurudhore, dyshohet se mund të ketë qenë dhe një lidhje e parealizuar mirë mes vagonëve të trenit. Këto janë dy shkaqet e mundshme të ngjarjes që shkaktoi panik mes pasagjerëve të trenit. Ndërkaq, pas sistemimit të pasagjerëve brigadat e punës kanë punuar për të futur sërish në shina vagonin e shkëputur. Burime nga stacioni hekurudhor i Lezhës bëjnë të ditur se treni ka vijuar lëvizjen edhe për pak minuta pas daljes së vagonit nga shinat.
Ky nuk është aksidenti i parë në këtë pjesë të hekurudhës. Gjatë vitit 2009 treni ka dalë dy herë nga shinat në territorin e fshatit Spiten të Lezhës, ndërsa njëherë tjetër dalja nga shinat ndodhi në afërsi të stacionit të Laçit. Në të tria rastet ekspertët thanë se ishte faji i linjës së amortizuar.
Deri në mesin e viteve ’90, trenat ishin mjetet kryesore të transportit të udhëtarëve dhe të mallrave për pjesën më të madhe të Shqipërisë. Në vend ekziston ende i njëjti rrjet hekurudhor, që mundëson shërbimin për qytetet kryesore si: Tirana, Durrësi, Shkodra, Fieri, Vlora, Lushnja, Kavaja, Lezha, Laçi etj., por të paktën për transportin e udhëtarëve linjat hekurudhore nuk përdoren gjerësisht, për shkak të shpejtësisë së ulët të lëvizjes dhe kushteve të këqija në vagonë.
Vitet e fundit, disavantazheve të hekurudhës ndaj transportit rrugor u është shtuar edhe amortizimi i linjave të hekurta. Vetëm gjatë dy muajve të parë të këtij viti, linjat hekurudhore pësuan dëmtime serioze në Librazhd, Kavajë dhe Fier, duke bërë që për disa ditë të ndërpritej lëvizja.
Ngjarja e djeshme e ka shtuar edhe më shumë pasigurinë e transportit mbi linjat e hekurta, transport ky që konsiderohet nga më të sigurtët dhe ekologjikët në vend.
#