E Shtunë, 31 Tetor 2026

Prurjet në hidrocentrale rrezikojnë përmbytjen e tretë

Shkodër Aktualisht nga Komani lëshohen 200 m³/s, por mund të shtohen

Reshjet e dendura të shiut gjatë ditëve të fundit kanë bërë që sërish të shkarkohet ujë nga hidrocentralet mbi lumin Drin. Kjo ka sjellë një rritje të ndjeshme të nivelit të ujit në lumenjtë Drin dhe Buna. Për fat të mirë shkarkimet e ujit nuk kanë qenë në përmasa të mëdha, duke bërë që për momentin të mos kemi një përmbytje të tretë të Nënshkodrës. Gjatë natës së të enjtes janë shkarkuar nga tuneli i shkarkimit në hidrocentralin e Vaut të Dejës rreth 200 metra kub ujë në sekondë. Ndërkohë, reshjet e shiut kanë rritur ndjeshëm nivelin e ujit në digat e hidrocentraleve, që aktualisht është vetëm 2 metra larg pikave kritike. Burime nga hidrocentrali i Komanit pohuan për gazetën “Shqip”, se për shkak të prurjeve të mëdha është bërë e detyrueshme hapja e tunelit të shkarkimit dhe nëse do të ketë sërish reshje shiu, shkarkimet do bëhen akoma më të mëdha. Po sipas të njëjtave burime mësohet se ka një tendencë të rritjes çdo ditë të prurjeve dhe kjo sjell shtimin e shkarkimeve. Ndërkohë, shtimi i nivelit të ujit nga shkarkimet që po bëhen ka bërë që ende të ketë prezencë uji në fshatin Obot, fshat që është përmbytur për herë të dytë më datë 22 shkurt. Rruga kryesore dhe e vetme e këtij fshati mund të kalohet vetëm me mjete e larta të ushtrisë.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›