Përgjaken rrugët, një i vdekur dhe dy të plagosur për pak orë
DURRËS - Një person ka gjetur vdekjen, ndërsa dy të tjerë janë plagosur në tre aksidente automobilistike që kanë ndodhur në orët e vona të së premtes në akset rrugore të rrethit të Durrësit. Burime zyrtare nga drejtoria e policisë së qarkut, bënë të ditur se 48-vjeçari Vildan Mati, i cili drejtonte automjetin tip “Benz 190” me targa TR 7510 H, ka humbur kontrollin mbi drejtimin e automjetit dhe për pasojë është përplasur me murin rrethues të një pike karburanti, duke gjetur vdekjen. Ngjarja e rëndë ka ndodhur rreth orës 22.00 të natës së mbrëmshme, në segmentin rrugor Plepa-Tiranë, në vendin e quajtur “Kryqëzimi i Pjezës”, 12 km larg Durrësit. Sipas të njëjtave burime, mësohet se mbrëmjen e së premtes në sektorin ”Hekurudha” të plazhit të Durrësit një person i paidentifikuar, i cili drejtonte nje automjet tip “Fuoristradë” ngjyre gri me targa të Tiranës, ka aksidentuar shtetasen L.D., 36 vjeçe, banuese po në këtë lagje. Drejtuesi i automjetit është larguar nga vendngjarja, ndërsa 36-vjeçarja, e dëmtuar rëndë, është dërguar në Spitalin Rajonal të Durrësit. Policia po punon për identifikimin dhe kapjen e autorit të ngjarjes. Burimet nga policia thanë se një aksident tjetër ka ndodhur në të njëjtën rrugë të plazhit, në vendin e njohur me emrin “Rrota e kuqe”. Shtetasi Ruzhdi Laçaj, lindur dhe banues në Shkozet të Durrësit, ka aksidentuar me automjetin e tij tip “Benz E 270 CDI” me targa BR 063 MM, 19-vjeçaren J.O., banuese në lagjen Nr. 13, në Durrës, e cila po kalonte nga njëri krah i rrugës në tjetrin. Ndaj 57-vjeçarit Laçaj ka nisur procedimi penal në gjendje të lirë.
Prokuroria nis hetimet për zyrtarët e disa institucioneve shtetërore
ELBASAN – Disa drejtues të institucioneve shtetërore priten të hetohen shumë shpejt nga organi i akuzës për abuzime me detyrën. Mes të hetuarve janë punonjës të Korporatës Energjetike Shqiptare, pedagogë të universitetit “Aleksandër Xhuvani”, drejtues të qeverisjes vendore dhe mjekë të spitalit rajonal. Prokuroria e rrethit të Elbasanit ka në dispozicion një sërë dosjesh, të cilat kanë të bëjnë me korrupsionin në institucionet shtetërore. Ky fakt është pohuar nga kryeprokurori i rrethit, Edvin Gogaj, i cili tha u shpreh dje se "organi i akuzës është duke hetuar disa dosje. Sipas tij, “ndër çështjet që janë marrë në hetim është ajo në ngarkim të KESH-it për tenderat e uzinës së Ferrokromit " Darfo", për shitjen e skrapit etj". Ai shtoi se dosjet janë depozituar në prokurori pas kontrolleve të ushtruara nga Kontrolli i Lartë i Shtetit, por edhe nga denoncimet e auditit të brendshëm. Prokuroria e rrethit të Elbasanit është në hetim e sipër edhe të dosjes së një pedagogu në universitetin "Aleksandër Xhuvani", që sipas prokurorit Gogaj, "akuzohet për mitmarrje dhe diplomë false". Prej 10 ditësh në këtë prokurori është depozituar një denoncim ndaj një mjeku, ndërsa në hetim e sipër, përfundoi prokurori i Elbasanit janë dhe 10 raste për shpërdorim detyre, kryesisht në komuna e bashki.
5 Maj 2008