E Diel, 1 Nëntor 2026

Konflikti me OSBE-në

Autori i Lajmit: red.
Kryeministri Berisha e vlerësoi reformën në gjendjen civile si "një reformë qendrore me impakt të gjerë politik, sidomos në infrastrukturën zgjedhore". I pranishëm në ceremoninë e zhvilluar sot në Njësinë Bashkiake nr. 10, me rastin e shpërndarjes së certifikatave të para elektronike, Kryeministri shprehu mirënjohjen për Prezencën e OSBE-së dhe KE-së, si dhe qeveritë e Norvegjisë dhe Austrisë për mbështetjen dhe ndihmën e tyre në realizimin e këtij projekti (certifikatave elektronike). "Kjo reformë jep mundësi të zhvillohen listat e votuesve dhe gjithë infrastruktura teknike zgjedhore më moderne, gjë që është shumë e rëndësishme për Shqipërinë", - theksoi Kreu i Qeverisë. Ai shprehu angazhimin për ta shndërruar moshën dixhitale në një realitet për Shqipërinë. "Kjo ditë është shumë e rëndësishme në përpjekjet e Shqipërisë për të arritur moshën dixhitale, mosha teknologjike më e mirë e shoqërisë dhe e kombeve në tërësi. Shqipëria tre vjet më parë ishte shumë larg kësaj, pasi shkalla e penetrimit të IT-së në shoqërinë shqiptare ishte vetëm 4.8 për qind, kurse vitin e kaluar ajo arriti në 15%", - tha Berisha. Sipas tij, ndonëse kjo është një shifër e ulët krahasuar me nivelin botëror, gjithsesi vitin e kaluar Shqipëria kishte rritjen më të lartë në Evropë në përdorimin e kompjuterave. Kreu i qeverisë u shpreh optimist që në 2008 Shqipëria të ruajë shpejtësinë më të lartë në Evropë në ritmin e rritjes së penetrimit të IT-së, në mënyrë që në fund të vitit të kapim nivelin botëror, që është rreth 21%. Duke falënderuar punonjësit e gjendjes civile për dixhitalizimin në një kohë të shkurtër të 14 mijë regjistrave të gjendjes civile të Republikës së Shqipërisë, iu bëri thirrje të gjithë sektorëve të tjerë të vendit që të dixhitalizojnë të gjithë arkivat e tyre si "një detyrim për t u ofruar qytetarëve shqiptarë shërbimet më të mira".
Ky lajm është publikuar: 15/08/2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›