Dan Hutra: E vrava gruan nga depresioni
25-vjeçari i akuzuar për vrasjen e Dafina Havales u mbrojt duke thënë se është depresiv
TIRANË- " E vrava gruan me thikë pa vetëdije, pasi isha në depresion". Me këto fjalë i është përgjigjur pyetjeve të gjyqtares së masave, 25- vjeçari Dan Hutra, dje gjatë vlerësimit të arrestit dhe caktimin e masës së sigurisë pranë Gjykatës së Tiranës. Nën masa të rrepta sigurie, 25- vjeçari Hutra është sjellë paraditen e djeshme në gjykatë, duke "mbrojtur" veten me "kartën" e çrregullimit psiqik. Ndërkohë, në fjalën e tij prokurori i çështjes e cilësoi vrasjen si një krim të kryer me gjakftohtësi dhe me vetëdije të plotë, duke përshkruar trupin e bashkëshortes së vrarë nga ai me detaje. Pas këtij përshkrimi, prokurori kërkoi nga gjykata që 25- vjeçari të izolohet në qeli dhe ndaj tij të jepet masa e sigurisë "arrest me burg" deri në përfundim të hetimeve. Gjykata, pas dëgjimit të pretendimeve të palëve, vendosi të lërë në qeli 25- vjeçarin nën masën e sigurisë "arrest me burg" deri në përfundim të hetimeve. Gjithashtu, gjykata pas pretendimeve të Hutrës vendosi dhe kërkoi nga prokuroria që të pandehurit t'i bëhet akt-ekspertimi psikik. I pandehuri Hutra u arrestua vetëm tre ditë më parë, në afërsi të fshatit Shëmri të rrethit të Kukësit, brenda autobusit të linjës Durrës-Tiranë, ku 25- vjeçari po udhëtonte në drejtim të fshatit tij të lindjes, Kalimash. Disa ditë më parë, Dan Hutra qëlloi me thikë disa herë gruan e tij, Dafina Havalja duke e lënë të vdekur në banesën e marrë me qira në një banesë dykatëshe në rrugën "Stavri Themeli" në kryeqytet.