Konflikti per catine e perbashket 59-vjecari ekzekuton fqinjin
Konflikti për pronën është shkak i një ngjarjeje tepër të rëndë në Lushnjë. Dy fqinj janë përfshirë në debat, i cili ka degjeneruar në përdorimin e kallashnikovit. Për pasojë, një prej fqinjëve ka gjetur vdekjen, kurse tjetri është arrestuar nën akuzën e vrasjes. Ngjarja ka ndodhur mesditën e së shtunës, rreth orës 12.40 në lagjen “Kadri Qystri” të qytetit të Lushnjës. Mësohet se viktima quhet Themi Koçi, 63 vjeç, kurse autori është identifikuar si Maksim Gjermeni, 59 vjeç.
Familjet Koçi dhe Gjermeni jetojnë prej vitesh pranë njëra-tjetrës, nën një çati të përbashkët, dhe sipas burimeve nga Policia e Lushnjës, kanë qenë të shpeshta debatet mes tyre. Këto debate janë shkaktuar jo vetëm nga fqinjësia e padëshiruar, por edhe nga motive të dobëta, si zënka për shpendët që kalonin gardhin ndarës apo dhe për rrobat e nderura në telat e oborreve të banesave respektive.
Gjatë muajve të fundit, debati mes dy familjeve ka marrë përmasa, pasi Maksim Gjermeni kishte ndërtuar në kufirin ndarës një objekt të vogël, të cilin e kishte kthyer në vendgatim, për shkak të banesës së tij me sipërfaqe të vogël.
Kuzhina barangë për dy fqinjët ishte kthyer në mollë sherri, pasi prej saj jo vetëm zhurmat, por edhe aromat sillnin shkak për debat. Megjithatë dje në mesditë autori Maksim Gjermeni i ka vënë flakën barangës së vet. Zjarri ka marrë përmasa dhe ka rrezikuar edhe banesat pranë. E rrezikuar ka qenë edhe banesa e fqinjit Themi Koçi. Është dashur ndërhyrja me mjete rrethanore e banorëve që të shuheshin flakët. Edhe pse ndodhi ky episod i rëndë, sipas burimeve nga grupi i hetimit mësohet se viktima Themi Koçi, duke harruar debatet dhe rrezikun e fundit nga zjarri, ka shkuar të qetësojë fqinjin e vet. Burime nga grupi i hetimit thonë se viktima i ka thënë fqinjit që të mos mërzitej e të qetësohej, pasi nevriku i tepër ishte dëm për të. Madje, e ka sugjeruar edhe të mos kryejë asnjë veprim, pasi ishte i dehur. Por në mënyrë krejt të çuditshme 59-vjeçari Maksim Gjermeni hyn brenda banesës së vet dhe merr armën e zjarrit të tipit kallashnikov.
Pa marrë parasysh fjalën e mirë të fqinjit, teksa ky i fundit futej për në banesën e tij, e qëllon me breshëri, duke i shkaktuar vdekjen e menjëhershme. Të alarmuar banorët janë përpjekur t’i japin ndihmën e parë viktimës, por gjithçka ka qenë e kotë, pasi ai kishte ndërruar jetë.
Më pas është njoftuar policia, e cila brenda disa minutash ka vënë në pranga autorin, si dhe ka sekuestruar armën kallashnikov, me të cilën ai kreu vrasjen. Autori u largua nga vendngjarja me armë në dorë dhe iu drejtua periferisë së qytetit, një kodre me ullinj për t’u fshehur, por policia e ka ndjekur dhe e ka arrestuar pas disa minutash.
Maksim Gjermeni e ka pranuar krimin, por nuk ka preferuar të flasë fillimisht për grupin e hetimit. Pas shoqërimit të tij në mjediset e Komisariatit të Lushnjës, ai është njohur edhe me akuzën, atë të vrasjes me paramendim. Gjatë pasdites autori është marrë në pyetje dhe sipas grupit të hetimit mësohet se po punohet për zbardhjen edhe më tej të kësaj ngjarje të rëndë.
Edhe pse pista e parë e hetimit është ajo e konfliktit për pronën, burimet hetimore thonë se po hetohet edhe për ndonjë konflikt tjetër me bazë motivet e dobëta që mund të kenë përfshirë dy familjet. Autori, gjatë marrjes në pyetje, ka folur përçart, pasi, sipas policisë, kishte konsumuar sasi të lartë alkooli.