Gordon Braun çon Britaninë në zgjedhje të parakohshme
Kryeministri britanik, Gordon Braun, i kërkoi dje Mbretëreshës Elisabet të shpërbëjë Parlamentin, duke u hapur kështu udhën zgjedhjeve të përgjithshme, të parakohshme në vend. Zgjedhjet e reja janë vendosur për më 6 maj. Miratimi i Mbretëreshës ishte hapi i fundit përpara fillimit të fushatës zgjedhore. Kjo është hera e parë që Mbretëresha ka ndërhyrë në këtë proces që nga fillimi i viteve ’90. Analistët në Britani kanë deklaruar se e ardhmja e zgjedhjeve nuk është shumë e sigurt për fitoren e asnjë force politike. Ndërsa në fillim të dimrit, lideri i Partisë Konservatore, David Kameron, ishte më i preferuari në sondazhe, tani ai qëndron vetëm me 4 pikë në diferencë nga Gordon Braun, sipas sondazhit më të fundit nga “Guardian”, të publikuar dje në mëngjes, duke i kthyer këto zgjedhje në sfidën më të fortë politike në Britani që prej 20 vitesh. Ndërsa helikopterët u ngritën në qiellin e Londrës për të gjurmuar udhëtimin e makinës së Kryeministrit Braun drejt pallatit mbretëror për takimin zyrtar me Mbretëreshën, David Kameron po mbante fjalim në anën tjetër të qytetit. “Këto janë zgjedhjet më të rëndësishme dhe përfundimi është ky: ju nuk duhet t’i jepni një tjetër mandat pesëvjeçar Gordon Braunit”, tha ai. Sipas komenteve të gazetës “Mirror”, Kameron “ka huazuar një faqe nga fjalimi i Obamës, pasi kishte folur për shpresë dhe një fillim të ri për, të cilin vendi ka nevojë”. Kryeministri Braun, pasi mori miratimin e Mbretëreshës për organizmin e zgjedhjeve të parakohshme, mbajti një fjalim nga “Downing Street”, duke evituar të përmendte Kameronin, por duke komentuar se fitorja e Laburistëve në këto zgjedhje do të vazhdonte planin e rimëkëmbjes ekonomike për Britaninë dhe u kërkoi zgjedhësve britanikë një mandat të qartë për të vazhduar përpara. “Britania është në rrugën e rimëkëmbjes dhe asgjë që kemi bërë ne nuk mund ta rrezikojë rimëkëmbjen”, tha ai duke sugjeruar se plani i shkurtimeve të shpenzimeve (deri në 10 për qind) i propozuar nga konservatorët, apo “Tories”, do ta dëmtonte krijimin e vendeve të punës. Braun përfaqëson qeverinë e katërt radhazi të Laburistëve, të cilën e trashëgoi nga Toni Bler në vitin 2007. Popullariteti i Braunit ka rënë për shkak të krizën ekonomike që preku edhe pjesën tjetër të botës dhe skandalet e shpenzimeve super të mëdha të parlamentarëve, ku edhe Laburistët e tij janë të përfshirë. Edhe popullariteti i konservatorëve ka rënë, pasi programi i tyre konsiderohet nga analistët shumë mekanik dhe i vakët. Beteja mes dy partive kryesore në Britani mund të favorizojë liberal-demokratët, forca e tretë politike në vend.