E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kapen 30 kg kanabis, prangoset 21-vjeçari

Kapet 30 kg kanabis, ndërkohë që në prangat e policisë ka rënë një 21-vjeçar nga Lazarati. Një operacion i Antidrogës së Korçës është finalizuar me kapjen e një sasie të konsiderueshme lënde narkotike, ndërkohë që në prangat e uniformave blu ka rënë Belul Toto nga Lazarati. Të futura në dy çanta sportive, 30 pakot me kanabis të mbështjella me natriban, të ardhura nga Lazarati, kishin për destinacion qytetin e Korçës. Burime të policisë lokale kanë bërë të ditur se operacioni i koduar "Qafa e Qarrit" është finalizuar me sukses pasi 21-vjeçari është vënë në ndjekje derisa është ndaluar nga ana e policisë në vendin e quajtur Fabrika e Tullave në aksin nacional Korçë-Ersekë. Pas kontrollit në mjetin e tij janë gjetur dy çanta sportive me drogë, të cilat janë sekuestruar në cilësinë e provës materiale. Operacioni antidrogë i Policisë së Korçës është mbyllur në orën 17:30, kur ky shtetas është kapur në flagrancë ndërsa po realizonte transportin e kanabisit nga Gjirokastra drejt qytetit të Korçës, që mendohet se ka qenë edhe destinacioni i fundit. Burime të policisë kanë thënë se fillimisht është dyshuar që lënda narkotike ka qenë e destinuar për trafik në shtetin grek, por nga hetimet ka rezultuar se 21-vjeçari do ta dorëzonte këtë sasi te porositësit nga qyteti i Korçës. Sipas policisë, i riu lazaratas ishte vënë në ndjekje përgjatë rrugës nacionale Korçë-Ersekë. 21-vjeçari Belul Toto, nga fshati Lazarat i Gjirokastrës, po udhëtonte me mjetin e tij tip "Benz", me targa Gj6040A, mjet në të cilin ju gjet dhe sekuestrua sasia e bimës narkotike e llojit kanabis sativa e presuar. Ndërkohë mësohet se policia po heton për të zbuluar rrjetin e trafikut, përfshirjen e personave të tjerë dhe porositësin e mallit.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›