E Diel, 1 Nëntor 2026

Prençi: Gjatë zgjedhjeve bëmë 22 ndërhyrje për stabilizimin e gjendjes

Kreu i policisë vlerëson gjithë vartësit e tij për procesin zgjedhor, duke analizuar edhe gjithë situatat e krijuara gjatë këtij procesi. Dje, drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ahmet Prençi, zhvilloi një mbledhje me drejtorët e qarqeve dhe ata rajonalë të Policisë Kufitare e Migracionit, për të analizuar veprimtarinë e policisë para dhe gjatë procesit zgjedhor. Ai bëri një ekspoze të gjithë punës së bërë nga Policia e Shtetit, ku veprimtaria e saj u nda në disa faza të shtrira në kohë. Gjatë këtyre fazave u planifikua dhe u sigurua e gjithë baza teknike e logjistike e domosdoshme për realizimin e detyrave për garantimin e masave para, gjatë dhe pas zgjedhore. Me mbështetjen dhe në bashkëpunim me Prezencën e OSBE-së, Misionin PAMECA III, Programin ICITAP, KQZ dhe Prokurorinë e Përgjithshme, u përgatit programi i trajnimit për punonjësit e policisë së të gjitha niveleve. Ky program trajnimi u zhvillua i ndarë në tre faza, sipas modelit kaskadë. Për nivelin e lartë drejtues u trajnuan 85 punonjës, për nivelin e mesëm drejtues- të cilët kanë shërbyer si trajnerë për trajnimin e nivelit bazë -u trajnuan 97 punonjës, dhe faza e tretë për nivelin zbatues, ku u zhvillua trajnimi pranë ambienteve të strukturave të policisë vendore, duke trajnuar rreth 5500 punonjës policie të këtij niveli. Po në kuadrin e përgatitjes profesionale, Prezenca e OSBE-së në Shqipëri financoi botimin e 6000 kopjeve të "Librit të xhepit" me detyrat e punonjësve të policisë, së bashku me 400 kopje të Kodit Zgjedhor, të cilat iu shpërndanë strukturave policore që ligji i ngarkonte me detyra për garantimin e procesit zgjedhor. Me fillimin zyrtar të fushatës elektorale në të gjitha strukturat vendore dhe qendrore të policisë u ngritën grupet e koordinimit dhe drejtimit, grupe të cilat çdo ditë ndoqën nga afër situatën e rendit dhe monitoruan shërbimet e policisë që u aktivizuan për sigurimin e 1233 aktiviteteve elektorale të zhvilluara nga subjektet e ndryshme, ku janë aktivizuar 8054 punonjës policie, 1270 automjete, duke kryer rreth 2097 orë shërbimi. Ndërsa gjatë ditës së zgjedhjeve dhe deri më 1 korrik, nga shërbimet e Policisë së Shtetit janë realizuar ndërhyrje në qendrat e votimit dhe në vendet e numërimit të votave me vendim të komisioneve të qendrave të votimit dhe të komisioneve zonale të administrimit të zgjedhjeve. Konkretisht nga ana e policisë janë bërë 22 ndërhyrje për të stabilizuar situatat e krijuara. Gjithashtu, drejtori i Përgjithshëm i Policisë ka falënderuar drejtuesit e policisë, pjesëmarrës në takim, dhe u ka kërkuar t‘i transmetojnë falënderimet të gjithë punonjësve të policisë që u angazhuan në procesin zgjedhor dhe që me korrektësinë, profesionalizmin dhe përgjegjshmërinë që treguan gjatë realizimit të detyrave, bënë që policia të vazhdojë të vlerësohet me konsiderata të larta nga vëzhguesit vendorë dhe ata ndërkombëtarë. Në këtë takim, Prençi vlerësoi me konsiderata maksimale të gjithë aktorët, si dhe institucionet që bashkëpunuan me policinë dhe kontributin e dhënë prej tyre në mbarëvajtjen e këtij procesi. Këtë takim e parapriu një mbledhje e thirrur nga ministri i Brendshëm, Bujar Nishani, me drejtuesit qendrorë dhe vendorë të policisë, të cilët morën falënderimet e tij për performancën e treguar në procesin zgjedhor.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›