Sistemi i adresave, katalogimi elektronik drejt dështimit
LEZHË - Brenda muajit tetor të këtij viti duhet të përfundojë identifikimi elektronik i sistemit të adresave, që nga rrugët, sheshet, banesat dhe çdo lloj tjetër objekti i ndërtuar nga dora e njeriut apo natyra nëpër njësitë vendore. Ky urdhër është i përcjellë për njësitë vendore të vendit nga zv.ministri i Brendshëm, Ferdinand Pone, në përgjigje të urdhrit të lëshuar nga kryeministri Berisha. Implementimi i këtij sistemi është një nga kushtet e ndërkombëtarëve për zgjedhje të lira e të ndershme, përveç përfitimeve të tjera që ai sjell. Por e keqja qëndron në faktin se infrastruktura e dhënë për njësitë vendore për realizimin e këtij procesi, është pothuaj përtokë, dhe tashmë është hasur në vështirësi që mund të quhen krejt subjektive. Edhe pse janë ngritur grupet e punës në të gjitha njësitë vendore, sipas porosisë së Ministrisë së Brendshme, specialistët kanë vështirësi në leximin e disqeve përkatëse nga kompjuterat që nuk janë të atij formati që të mund të kryejnë procesin. Kështu, sipas drejtuesve të prefekturës së Lezhës, ortofotot e mbërritura pranë njësive vendore janë me resolucion shumë të lartë, dhe asnjë prej kompjuterave që gjenden në njësitë vendore të qarkut të Lezhës nuk mund ta punojë atë në “Autocad 3D”. Sipas specialistëve, situata është alarmante, pasi duket qartë se ky proxes po “sabotohet” nga individë të ndryshëm pranë srejtorisë përkatëse të adresave në Ministrinë e Pushtetit Vendor. Gjithë procesi, që është aksion mbarëkombëtar, nuk është shoqëruar me fonde përkatëse për blerjen e kompjuterave në parametra të lartë, që do të mund ta realizonin me sukses. Por edhe vetë njësitë vendore nuk e kanë parë të udhës që vetëm për këtë proces të blejnë kompjutera që shkojnë deri në 3000 euro. Të kontaktuar, zyrtarë të drejtorisë së adresave “pranuan” defektin e disqeve dhe premtuan se së shpejti do të sjellin disqe të tjera me orotofoto më cilësore, por që mund të punohen më lehtë. Megjithatë, deri në këto momente kur po afrohet fundi i tetorit, nuk është bërë asgjë. Gjithsesi, kjo shihet dhe si një marifet i përdorur nga zyrtarë në drejtorinë përkatës në ministri, për të adresuar njësitë vendore tek studiot private, dhe jo për të dhënë një zgjidhje të thjeshtë dhe pa kosto (duke parë këto pengesa të qëllimshme, ndonjë bashki e qarkut Lezhë i është drejtuar zgjidhjes në studio private, që, me sa duket, ofrohen nga specialistë të zyrës përkatëse në Ministrinë e Brendshme). Por, sidomos komunat që nuk disponojnë mjete financiare, kanë mbetur në mes të këtij procesi të rëndësishëm duke u sorollatur nga njëra zyrë në tjetrën. Ndaj drejtuesit e njësive vendore, por dhe ata të prefekturës, bëjnë përgjegjës zyrtarë nga drejtoria përkatëse në Ministrinë e Brendshme, që po e zvarrisin implementimin elektronik të sistemit të adresave në këtë qark.