Kambistit i grabiten 50 milionë lekë në mesnatë
SHKODËR - Grabitet nga persona të paidentifikuar një 40-vjeçar shkodran, me profesion kambist. Ngjarja mësohet të ketë ndodhur në orët e vona të së dielës, kur Altin Heqimi, banues në lagjen “Dergut”, pasi mbylli dyqanin ku ai ushtron aktivitetin e këmbimit të parave në qendër të qytetit, me mjetin e tij shkoi në shtëpi. Sipas deklarimeve që i dëmtuari dha në policinë e Shkodrës, ai ndaloi mjetin në rrugicën ku ndodhet shtëpia e tij dhe pranë derës e la atë të ndezur. Në bagazhin e mjetit kishte dhe çantën e parave, brenda së cilës, gjithmonë sipas deklarimeve të 40-vjeçarit, ndodheshin rreth 5 milionë lekë të reja. Pasi hapi derën e oborrit, nga do të fuste makinën, të cilën e la të ndezur, doli jashtë dhe pa bagazhin e mjetit të tij të hapur dhe çantën e parave që nuk ndodhej aty. Gjithashtu, pa dhe dy persona që largoheshin në errësirë me motorçikletë. Pas kësaj, Heqimi bëri denoncimin në polici. Ai tha se zhurma e mjetit të lënë ndezur prej tij e pengoi të dëgjojë motorin që ndaloi përpara derës, hapi bagazhin dhe mori çantën e parave. Gjithçka mësohet të ketë ndodhur shumë shpejt, duke çuar në mendimin se grabitja ishte e paramenduar dhe se veprimet e përnatshme të kambistit janë mbikëqyrur. Por Heqimi nuk mundi të bënte një përshkrim të detajuar për grabitësit, duke treguar vetëm pak gjëra që pa ndërsa ata largoheshin. Policia ka shoqëruar disa persona, por akoma nuk ka identifikuar autorët e grabitjes. Dyshohet se dy personat që realizuan grabitjen kanë qenë të maskuar.