Tragjedia, policia në kërkim të 18-vjeçarit të zhdukur
Djaloshi nga Imshta e Lushnjës mësohet se u largua nga shtëpia drejt Greqisë pa dijeninë e familjarëve të tij
SARANDË- Zona e Butrintit ishte përgjatë gjithë ditës së djeshme epiqendra e policisë, ekipeve të shpëtimit, familjarëve dhe mediave. Ndërsa mendohej se ishin vetëm dy viktima, të zyrtarizuara edhe nga organet kompetente, një baba denoncon zhdukjen e të birit. 18-vjeçari Ndriçim Myftari, që aktualisht rezulton i humbur, e telefonoi të atin, në momentet kur po hipnin në varkë. Pas kësaj telefonate, heshtje deri në momentet kur televizonet transmetuan lajmin e rëndë. I ati i Ndriçimit, Ylli Myftari, së bashku me vëllanë dhe të afërmit e tij janë nisur nga fshati Imshtë e Lushnjës, drejt Sarandës. Por ardhja ishte zhgënjyese, pasi 18- vjeçari nuk figuronte në listat e të mbijetuarve. Menjëherë pas kësaj, nisën kërkimet. 6 polumbarë u zhytën dy herë me radhë në ujërat e liqenit të Butrintit, të ndarë në tri ekipe, të cilat kërkuan në zona të ndryshme. Zhytja e parë u realizua në orët e para të mëngjesit dhe rezultoi e pasuksesshme, megjithëse kërkuan për gati tri orë me radhë.Rreth mesditës u realizua edhe etapa e dytë e kërkimit, që zgjati po kështu për rreth 3 orë, por që sërish rezultoi e pasukssesshme. Polumbarët gjetën në ujërat e liqenit sende personale që u përkisnin të mbijetuarve dhe viktimave, si: celularë, rroba, varëse, por jo trupin e 18-vjeçarit. Pas dy kërkimesh, ata i ndërprenë operacionet e kërkimit në ujë, për t’i rifilluar mëngjesin e së martës. Ndërkaq, babai dhe familjarët e 18-vjeçarit të zhdukur qëndruan në zonën e Butrintit, fare pranë vendit ku u përmbys varka deri rreth orës 16:00, kohë në të cilën pothuaj të gjithë njerëzit u larguan prej andej. Duke mos ditur se çfarë do të ndodhte, ata iu drejtuan komisariatit të policisë për të marrë një përgjigje.
I dërrmuar nga dhembja, babai i Ndriçimit, Ylli Myftari, mezi pranon të largohet nga vendi, pasi i duket se duke qëndruar atje do ta gjejë më shpejt të birin. Qan papushim, pa gjetur asnjë ngushëllim dhe thërret me zë të lartë të birin, një ndër 5 fëmijët që familja Myftari ka. Gjendja tejet e vështirë ekonomike dhe dëshira për një jetë më të mirë, e detyroi 18-vjeçarin të zgjedhë rrugën e emigramit ilegal, që u shndërrua në tragjedi. Dy herët e para të tentativave për t’u larguar drejt Greqisë, kishin dështuar, ndërsa e treta solli zhdukjen e tij. “Dil Çimi se babi nuk ka më fuqi të të qajë”, janë disa nga fjalët me të cilat Ylli Myftari vajton humbjen e të birit. Megjithëse dhembja është e madhe, Ylli pranon të flasë për ditët e fundit dhe telefonatën e fundit me djalin e tij.
E dinit që djali juaj do të shkonte për në Greqi?
Më tha, por unë nuk isha dakord se nuk kisha lekë t’i jepja. Para ca kohësh që u nis, i dhashë 50 mijë lekë dhe nuk arriti të ikte. Pa më thënë fare, së bashku me dy djem të tjerë nga fshati ynë u nis para dy ditësh. Unë nuk dija gjë, se ai nuk kishte lekë, as në telefon, për të më thënë. Ku e di unë se ku i gjeti ato lekë që më mori dhe më tha. Pse më tha? Tani e kam peng.
Çfarë biseduat në telefonatën e fundit me Ndriçimin?
Më mori dhe më tha se në atë kohë do të niseshin. “U nisëm dje babi dhe nuk kaluam dot. Tani do të hipim në varkë dhe do të hidhemi në anën tjetër. Mos ki merak”. Më tha edhe që i duheshin 50 mijë lekë (të vjetër), se kaq kërkonte ai personi që do t’i kalonte në liqenin e Butrintit me varkë.Kaq më tha dhe e mbyllëm telefonatën.
Po më pas, si e mësuat ngjarjen?
Dëgjuam në lajme për varkën që u përmbys dhe u nisa menjëherë. Vajta në spital nuk e gjeta, vajta në polici nuk ishte as atje. U ktheva prapë në spital, ku ishin dy djemtë me të cilët u nis, po as ata nuk dinin gjë. E kishin parë kur hipën në varkë, por më pas nuk e dinin nëse kishte shpëtuar apo ishte mbytur. Kemi gjithë natën dhe tani gjithë ditën, polumbarët u zhytën dhe nuk gjetën gjë. U bëj thirrje të gjithëve, që nga kryeministri shqiptar, të vënë dorën në zemër e të bëjnë maksimumin që të gjejnë djalin tim. Le të mendojnë si për fëmijën e tyre.
Gjatë kontakteve tuaja me policinë çfarë ju kanë thënë?
Folëm me shefin e komisariatit që më tha se do të bëjnë të gjitha përpjekjet për të gjetur djalin. Sot, më tha, polumbarët nuk do të kërkojnë më se i kanë mbushur orët që duhet të rrinë nën ujë dhe do të fillojnë nesër prapë nga kërkimet. Do të më tregojnë edhe disa nga sendet që janë gjetur nën ujë, si celularë, një varëse floriri, disa rroba dhe çanta, që të shoh nëse janë të Ndriçimit apo jo. Shefi më tha që ka mundësi që të jetë gjallë, meqë nuk e gjetën, as në rrjetat e peshkimit nuk kishte mbetur trupi. Nuk di se çfarë të them tjetër.
Nga ana tjetër edhe policia nuk është e sigurt nëse 18-vjeçari Ndriçim Myftari, i cili momentalisht rezulton i humbur, është gjallë apo ka vdekur. ‘Nuk mund të themi asgjë me saktësi. Ka mundësi të jetë mbytur, siç ekziston edhe mundësia që të ketë shpëtuar dhe të jetë fshehur diku. Jemi duke i marrë në konsideratë të dy rastet dhe duke punuar për to”, bënë të ditur burimet policore.
DEKLARATA
Policia: Kemi identifikuar pesë organizatorët e trafikut
Uniformat blu u shprehën se kanë mundur të identifikojnë personat që organizonin trafikimin e klandestinëve. Madje, duke dhënë si shifër numrin pesë, dhe jo katër të deklaruar nga Policia e Shtetit paraditen e djeshme. Megjithëse, dyert e komisariatit të Sarandës qenë thuajse hermetike, duke iu shmangur çdo kontakti me mediat, burime konfidenciale brenda saj bënë të ditur për gazetën “Shekulli”se autorët e ngjarjes së rëndë janë identifikuar dhe se shumë shpejt do të vihen para drejtësisë. “Pas marrjes së deponimeve nga klandestinët që po tentonin të kalonin ilegalisht drejt shtetit grek me barkë nëpërmjet liqenit të Butrintit dhe informacioneve në rrugë operative, kemi mundur të identifikojmë 5 persona si organizatorë të këtij trafiku të qenieve njerëzore. Tashmë, ky fakt është provuar dhe po punojmë për arrestimin e tyre”, u shprehën burimet konfidenciale. Polumbarët dhe forcat speciale janë angazhuar në operacionet e kërkimit, si dhe në ato të gjetjes së trafikantëve. Në ndihmë të bluve të komisariatit të Sarandës mbërritën qysh në orët e para të së hënës efektivë të repartit special RENEA dhe Forcave të Ndërhyrjes së Shpejtë nga Tirana, të cilët fill pas njohjes me faktet kanë nisur punën për krehjen e zonës. I gjithë territori përqark liqenit të Butrintit, vendi ku ndodhi përmbytja e varkës, kodrat dhe malet janë krehur përgjatë gjithë ditës së djeshme. Gjithashtu, specialistë të sektorit të krimeve dhe atij antitrafik në Drejtorinë e Policisë së Qarkut Gjirokastër punuan paralelisht me homologët e Sarandës, për të bërë të mundur zbardhjen e plotë të ngjarjes.
Të mbijetuarit
22 të mbijetuarit e tragjedisë gjithë ditën e djeshme e kaluan në mjediset e komisariatit të policisë së Sarandës. Menjëherë pas ngjarjes së rëndë, 18 prej të mbijetuarve iu drejtuan komisariatit, ndërsa 5 të tjerët u dërguan për në spitalin “Petro Nako” të qytetit. Deri rreth orës 04:00 të mëngjesit të së hënës, klandestinët u morën në pyetje dhe më tej një pjesë e mirë e tyre u strehuan në njërin nga hotelet e qytetit, që mësohet se u ofrua vullnetarisht për akomodimin e të mbijetuarve. Pas një kohe qëndrimi dhe qetësimi, rreth orës 07:00 të mëngjesit të djeshëm, ata iu drejtuan sërish komisariatit të policisë, ku qëndruan përgjatë gjithë ditës, deri në orët e vona të mbrëmjes. Mësohet se përgjatë gjithë kësaj kohe ata u morën në pyetje nga specialistët e policisë, në mënyrë që të zbardhej skema e trafikut dhe autorët përgjegjës të tij.
Familjarët
Ndërkaq, paralelisht me të afërmit e tyre, përgjatë gjithë ditës përpara komisariatit të Sarandës pritën edhe familjarët. Pasi morën vesh ngjarjen, ata u nisën menjëherë nga rrethet e tyre drejt Sarandës, ku morën konfirmimin se të gjithë ishin mirë, dhe ku qëndruan për më shumë se 12 orë në pritje. Rreth pasdites, kur durimi sosi, gjendja u acarua disi. “Nuk e dimë se çfarë ndodh. Kanë gjithë ditën që i mbajnë në polici. Nuk e dimë kanë ngrënë apo jo. Ne nuk na kanë dhënë asnjë përgjigje, vetëm ngrenë supet. Por ne jemi prindër”,- shprehet babai i njërit prej të mbijetuarve, i cili nuk pranon të identifikohet. Po kështu, udhëtoi nga Peza-Helmësi drejt Sarandës, Kadri Çalliku. Lajmin e mësoi vetëm mëngjesin e djeshëm dhe është befasuar se nuk ishte në dijeni që djali i tij do të largohej drejt Greqisë. “Më datën 10 tetor bëmë fejesën e djalit. Para dy ditësh më tha se do të shkonte te e motra për vizitë. Kur dëgjova lajmet në mëngjes, ngriva, madje e kishin dhënë gabim mbiemrin, e kishin shkruar Çeliku. Sapo e dëgjova u nisa menjëherë”,- u shpreh i moshuari.
Ngjarja
Ngjarja e rëndë ndodhi rreth orës 19:10 të ditës së diel, ndërkohë komisariati i Sarandës u njoftua zytarisht në orën 19:18. Menjëherë në vendin e ngjarjes mbërritën forcat e policisë së Sarandës dhe Gjirokastrës dhe në ndihmë të tyre erdhën katër autoambulanca, një automjet i spitalit rajonal “Omer Nishani” të Gjirokastrës, si dhe një zjarrfikës i Sarandës. Mësohet se një grup klandestinësh, i përbërë nga 26 persona, ishin nisur drejt Greqisë, duke përshkuar itinerarin Sarandë – Butrint – Qafë-Botë. Duke iu referuar burimeve zytare, të cilët shpallën edhe një listë të të mbijetuarve, emigrantët vinin nga qytetet e ndryshme të vendit, si: Fier, Lushnjë, Mat, Elbasan, Mallakastër, Tepelenë, Tiranë, pjesa më e madhe të cilëve kishin origjinën nga Shqipëria e Mesme. Sipas dëshmive nga vetë klandestinët, shumica e tyre ishin meshkuj, ndërkohë që në barkën e tragjedisë, fatkeqësisht, ndodheshin dy femra dhe dy fëmijë. Po sipas të njëjtave burime, ngjarja ndodhi për shkak se organizatorët e këtij trafiku, për të shmanguar postbllokun e policisë kufitare, që ishte ngritur në anën lumit të Vivarit, i kalonin klandestinët me barka peshkatarësh nëpërmjet liqenit të Butrintit. Trafikantët i ndanë klandestinët në dy grupe; varka e parë me 11 klandestinë në bord ka arritur ta kalojë liqenin e Butrintit, ndërkohë varka e dytë me 15 persona, është zhytur vertikalisht rreth 60 metra larg bregut të liqenit. Në ngjarje humbën jetën nënë e bijë, Elvira e Klara Jaho, përkatësisht 22 vjeç e tre muajsh dhe u zhduk 18-vjeçari Ndriçim Myftari.
Ngrihet grup hetimor për ngjarjen e ndodhur në Butrint
Ndërkaq, policia e shtetit deklaroi se për çështjen është ngritur një grup hetimor. Ky grup kryesohet nga Prokurori i Rrethit Gjyqësor Sarandë në përbërje të të cilit janë drejtuesit e policisë së qarkut Vlorë, drejtues të Policisë së Sarandës dhe drejtues të sektorit të antitrafiqeve në Policinë e Shtetit. Zëdhënësi i bluve tha se “nga tërësia e gjithë veprimeve hetimore të kryera deri në këto momente ka rezultuar se drejtuesit e barkës së mbytur janë identifikuar dhe po punohet për dokumentimin e veprimeve të tyre në këtë ngjarjeje, si dhe arrestimin e tyre”. Gjithashtu, ai deklaroi identifikimin e organizatorëve të trafikut, ndërsa u shpreh se emrat e tyre nuk bëhen të ditur për arsye hetimi.
TRAGJEDIA/ Tri vdekje brenda 40 ditëve në familjen e fshatit Perondi të rrethit të Beratit kanë tronditur njerëzit
Berat, familja Bakiu i hap dyert “vdekjes”
Familjarët e Dritan Jahos pranuan varrimin e nënës 22-vjeçare dhe foshnjës së saj pranë familjes së nuses
BERAT- Familja Bakiu ka hapur dyert për tri vdekje brenda 40 ditëve. Në fillim djali 26-vjeçar Eltoni, i cili u soll i vdekur nga Greqia dhe më pas Elvira e vajza e saj, në tentativë për të shkuar në Greqi. Nuk ndihen shumë mikpritës për ata që vijnë për t’i pyetur a për t’u thënë ndonjë fjalë. Dhimbja është shumë e madhe dhe ka çarë shpirtrat njerëzorë. Mundën të kuptoheshin me familjen ku kishin çuar vajzën nuse dhe si ngushëllim të merrnin të paktën trupat e saj dhe të mbesës vetëm tre muajshe e t’i varrosnin pranë tyre. Tashmë pak duket se u ka mbetur për të shpresuar…
Mbrëmjen e së dielës familja e Dritan Jahos, nga Lapardhaja e Beratit, udhëtoi për në Sarandë. Kishin nisur në drekë tre anëtarët e familjes së tyre për në Greqi, por disa orë më vonë mësuan se dy prej tyre nuk jetonin më. Në Sarandë mundën të tërhiqnin trupat e viktimave, si dhe të merrnin me vete djalin e tyre 27-vjeçar, në gjendje të traumatizuar. Në fshatin Lapardha u pritën nga qindra banorë, ndërsa rreth orës 09:00 të mëngjesit të së hënës, pas një bisede mes dy fiseve Jaho e Bakia, trupat e Elvira dhe Klara Jahos u nisën për në familjen e Demir Bakiut, babait të vajzës, në fshatin Perondi të rrethit të Kuçovës.
I ulur pranë të atit dhe i shokuar nga fatkeqësia që i ka ndodhur, Dritani nuk arrin të komunikojë lirshëm, përkundrazi e humbet rrjedhën e fjalës që ka nisur dhe ngashërehet duke kërkuar e përmendur emrat e Edlirës dhe të Klarës. Pranë tij qëndron i ati dhe të afërmit e tjerë. “Nuk kishin kaluar as 50 metër kur varka filloi të lëkundej në të dyja anët”, tregon Dritani. “Dikush thërriti: “Mbahuni dhe mos lëvizni!”. Më pas, pa kaluar as disa metra, varka u përmbys. Mbaj mend që i thirra gruas të kishte kujdes vajzën, ndërsa po kërkoja t’i gjeja. U mundova shumë, por nuk po munda. Dëgjoja zëra që thërrisnin për ndihmë, ndër ta edhe zërin e gruas sime. Në një moment dëgjova që gruaja bërtiti: “Nuk e kam vajzën!” dhe thirri për ndihmë. Nuk merrej vesh asgjë dhe nuk dije se çfarë të bëje. Të gjithë thërrisnin për ndihmë, por askush nuk vinte në atë moment të na ndihmonte. Më pas ndjeva që u afrua dikush, por nuk i di as emrin. Mbaj mend që vetëm u përmenda në spital. Aty mësova edhe për humbjen e jetës së gruas dhe Klarës.
Daja i Elvirës rrëfen: “Nuk e kemi më jetën të sigurt!”
Rexhep Kapllani, daja i viktimës Elvira Jaho, tregon momentet kur morën vesh për ngjarjen dhe se si njoftuan familjen e viktimave.
Kur e mësuat lajmin?
Lajmin e mësuam nga media. U shokova. Kemi vetëm 40 ditë që varrosëm nipin 26-vjeçar, Eltonin, pasi na erdhi nga Greqia i vrarë. Shkuam metë afërmit te Demiri, babai i Elvirës. Ata nuk dinin gjë për arsye, pasi televizorin e mbanin fikur, sepse ishin të përzishëm nga vdekja e djalit. Nuk dinim çfarë të bënim, çfarë t’u tregonim. Së bashku me vëllanë e Demirit u detyruam t’u tregonim çfarë kishte ndodhur në Sarandë.
Po më pas?
Çfarë të them? Aty ra kuja. Është një tragjedi e madhe. Familja Bakiu brenda 40 ditëve humbet tre pjesëtarë të familjes. Me të afërmit e tjerë shkuam tek krushku, në fshatin Lapardha, ku ishte martuar Elvira dhe aty pritëm për gjithë natën trupat e pajetë të vajzës dhe foshnjës së saj tremuajshe, Klarës. Në të dyja familjet tona ka rënë vërtet tragjedia, pasi edhe ata humbën nusen dhe mbesën e tyre, ashtu si dhe ne.
Kishin ikur herë tjetër klandestinë Dritani me Elvirën?
Po, kishin ikur kur u fejuan, pasi nuk kishin dokumente, madje atje bënë edhe martesën, ku lindën edhe Klarën. Edhe këtë radhë nuk do të vinin, por ndodhi vrasja e vëllait të Elvirës. Erdhën klandestinë. Dritani vendosi të kalonte sërish klandestin, pasi nuk mund ta linte gruan dhe vajzën këtej. Ai në Korint të Greqisë kishte marrë shtëpi dhe atje banonte me familjen e tij për më shumë se dy vjet.
Ç’mund të thoni për këtë ngjarje?
Nuk di se çfarë të them, por shteti duhet t’iu qëndrojë më pranë njerëzve se çdo ditë po humbasin jetën fëmijët tanë në kufi, në det, në liqen e ku di unë. Duket se askush në këtë shtet nuk e ka jetën të sigurt. Varfëria ka arritur kulmin dhe askush nuk do të qëndrojë në këtë vend.
Sa para kishte paguar Dritani për të kaluar në Greqi?
Nuk e di mirë, por kam idenë e një shume rreth 3 mijë euro. Por ç’rëndësi kanë paratë tani?!
Reagimet
Erjon Braçe
Për të ngushëlluar familjen për humbjen e të afërmve, në familjen Bakiu mbërriti deputeti i Beratit, Erion Braçe. Braçe denoncoi qeverisjen Berisha duke e akuzuar për papërgjegjshmërinë ndaj qytetarëve të saj. Braçe nuk ngurroi ta krahasonte Shqipërinë me Kubën e Fidel Kastros. “Shqipëria është kthyer në një Fidel Berisha dhe Fidel Lesh Topalli. Shqiptarët po rrezikojnë dhe japin jetën për të kaluar kufirin”,- tha Braçe.
Majlinda Bregu
U shpreh ngushëllime familjarëve të atyre që humbën jetën në tragjedi. Qëndrimi i qeverisë shqiptare dhe marrja e masave për të penguar që kjo tragjedi të shumëfishohej kanë qenë prezent që në orët e para të ngjarjes. Ne kemi dëshmuar gjatë gjithë kësaj kohe një menaxhim dhe siguri më të mirë të kufijvetanë, por kjo nuk do të thotë se nuk ka raste sporadike të kalimit klandestin të kufirit.
Erjon Veliaj
Kjo tragjedi është sinjali më i qartë se njerëzit nuk e gjejnë më shpresën këtu, por pikërisht si në fillimet e viteve ‘90, varfëria dhe skamja iu ka vrarë çdo dëshirë për të jetuar në Shqipëri. Shqipëria nuk është vendi i mundësive, por i pamundësive. Është e njëjta Shqipëri si ajo e 9 janarit, e tragjedisë së Otrantos, dhe e imazhit të saj fatkeq në botë. “Shqipëria po ndryshon”, po bëhet më keq së kurrë.