Minatorët e Mirditës në mbështetje të minatorëve të Bulqizës
Greva e minatorëve të Bulqizës ka hyrë në ditën e 23-të të saj. Pas shumë ditësh qëndrimi nën tokë, një pjesë e grevistëve dolën për t'u zëvendësuar nga 10 minatorë të tjerë
BULQIZË-Minatorët e Rubikut dhe specialistët e RISHM-it kanë qenë “vizitorët” e djeshëm të minatorëve të Bulqizës. 40 minatorë të bakrit, nga rrethi fqinj, kanë udhëtuar dje paradite drejt qytetit të minatorëve dhe kanë deklaruar mbështetjen e tyre për grevistët e urisë dhe 700 minatorët që protestojnë prej 44 ditësh, duke ndalur punën në minierën më të madhe në vend. Greva e minatorëve të Bulqizës ka hyrë në ditën e 23-të të saj. Pas shumë ditësh qëndrimi nën tokë, një pjesë e grevistëve dolën për t'u zëvendësuar nga 10 minatorë të tjerë. Minatorët e Bulqizës kanë falenderuar këshillin sindikal të minatorëve të Bulqizës për solidarizimin e tyre dhe janë betuar se nuk do ta nisin punën në galeri pa u plotësuar të gjitha kërkesat e deklaruara. Drejtuesit e sindikatës si minatorëve të Rubikut deklaruan se edhe ata do hidhen në grevë urie në mbështetje të minatorëve të Bulqizës. Kol Tusha, kryetar i këshillit sindikal të minatorëve të Mirditës, tha se të paktën 30 minatorë të këtij rrethi janë gati të futen në grevë urie, derisa kërkesat e kolegëve të tyre të plotësohen nga firma ACR. Çdo ditë minatorët e tjerë shkojnë pranë galerive në pritje të një zgjidhje të kërkesave të tyre, të bëra tashmë publike nga mediat shqiptare dhe të huaja. Drejtuesit e konfederatës kanë marrë drejtimin e protestave dhe grevës së urisë dhe janë mbështetur fuqishëm nga minatorët dhe banorët e qytetit të Bulqizës. Prej 4 korrikut ACR dhe minatorët nuk bien dakord të nënshkruajnë një marrëveshje për rritjen e pagës, kryerjen e investimeve, plotësimin e kushteve në minierë dhe largimin e subjekteve pirate nga zona koncesionare. Janë organizuar takime mes sindikalistëve dhe përfaqësuesve të firmës austriake, por ato kanë dështuar, duke bllokuar punën në minierë prej javësh dhe duke çuar në vetëflijim disa minatorë të Bulqizës. Po dje galeritë e Bulqizës janë inspektuar nga specialistët e Repartit Inspektimit të Minierave, të cilët janë shprehur se situata është e rëndë si për minatorët ashtu edhe për minierën që degradon çdo ditë. Sipas tyre, ditë më parë i është kërkuar policisë së shtetit të largojë nga miniera grevistët dhe të merren masa për rifillimin e punës në minierë. P. HASA