E Diel, 1 Nëntor 2026

Konflikti për rrugicën, plagoset një 26-vjeçar

Plagoset një 26-vjeçar me çifte, pasi rrahu një të moshuar. Ngjarja ka ndodhur mesditën e djeshme në Tiranë, ndërkohë që policia ka shoqëruar autorin e ngjarjes. Sipas të dhënave policore, ngjarja ka ndodhur për motive pronësie. Uniformat blu tregojnë se dje në drekë Genci Bolloshani, bashkë me një të afërm të tij, kanë shkuar për të sqaruar një debat me Fatmir Doçin, 65 vjeç. I moshuari kishte betonuar një rrugicë pranë banesës së tij dhe Bolloshanit, e për këtë Bolloshani ka kërkuar sqarime pse nuk ishte pyetur. Në konflikt, Bolloshani 26-vjeçar ka goditur Doçin disa herë me grushte. Më pas, 65-vjeçari ka hyrë në banesë dhe ka marrë çiften që mbante me leje, duke qëlluar ndaj të riut. 26-vjeçari ka mbetur i plagosur, ndërkohë që policia, e cila ka mbërritur në vendin e ngjarjes, ka nisur punën për sqarimin e plotë të kësaj ngjarjeje.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›