Trafik shqiptarësh nga Serbia në Itali
Një rrjet i trafikut të qenieve njerëzore nga Shqipëria në drejtim të Italisë është shkatërruar dy ditë më parë. Lajmi është bërë i ditur nga media italiane, që i është referuar gazetës serbe "Glas Javnosti". Sipas tyre, policia ka zbuluar këtë rrjet që merrej me trafikun e njerëzve dhe në të ishin të përfshirë shqiptarë, serbë dhe boshnjakë. Ata bënin trafikun e njerëzve nga Ballkani në drejtim të Europës, nëpërmjet territorit të shtetit serb. Aksioni i policisë mësohet se është bërë në Nova Varos, në rajonin e Sangiaçato, në jug të Serbisë. Sipas tyre, në një makinë janë ndaluar disa persona, katër shqiptarë, prej të cilëve tre minorenë dhe pa asnjë lloj dokumenti. Policia serbe ka bërë të ditur se klandestinët kanë deklaruar që ishin nisur në drejtim të Italisë, duke kaluar nga Shqipëria në Mal të Zi dhe më pas i kishin dërguar në Serbi. Ata kishin deklaruar se do të shkonin te të afërmit e tyre. Por në Nova Varos janë bllokuar nga policia. Sipas medias, rruga e klandestinëve që nis nga Shqipëria vijon mes përmes Serbisë, nëpërmjet lumit Drin, kalon në Bosnjë, Kroaci, Slloveni, për të përfunduar në Itali. Për të kaluar në Itali mësohet se klandestinët paguajnë shuma të mëdha, që shkojnë deri në 3500 euro për person. Paratë më pas ndahen mes të gjithë anëtarëve të grupit, që ndodhen në vende të ndryshme të Europës.