Vazhdojnë gjobat për kundërvajtësit e rrugës
Edhe dje kanë vijuar masat e policisë rrugore për parandalimin e aksidenteve, ku janë shënuar gjithsej rreth 1436 gjoba. Shërbimet e Policisë së Tiranës nën drejtimin e drejtuesve të Policisë së Tiranës po vazhdojnë me intensitet punën për parandalimin e aksidenteve në rrugë dhe në krijimin e lehtësirave për lëvizjen e lirë të mjeteve, në përputhje me legjislacionin rrugor, me qëllim parandalimin dhe uljen e aksidenteve rrugore. Në këtë kuadër, kontrolle të shumta po ushtrohen në drejtim të vendosjes së rripave të sigurimit, kaskës mbrojtëse, kontrollit të shpejtësisë, përdorimit të alkoolit nga drejtuesit e mjeteve dhe parkimet e gabuara. Po ashtu, kontrolle të vazhdueshme do të ushtrohen kryesisht për parkimet e gabuara, apo parkimet dyshe në akset e qytetit të Tiranës. Kështu, ditën e djeshme, në Qarkun e Tiranës janë konstatuar dhe vendosur 1436 masa administrative me vlerë 1 milion e 378 mijë lekë. Policia e Tiranës sheh si domosdoshmëri mirëkuptimin dhe mbështetjen e opinionit publik duke ftuar të gjithë përdoruesit e rrugës në ndërgjegjësimin për të zbatuar me korrektësi normat e sjelljes gjatë drejtimit të mjetit dhe rregullat e legjislacionit rrugor, të përcaktuar në Kodin Rrugor. Për një periudhë njëjavore, nga data 6 shtator deri më 11 shtator 2009, nga shërbimet e Komisariatit të Policisë Rrugore Tiranë, Patrullat e Përgjithshme dhe Shërbimet e Komisariatit të Policisë Kavajë janë konstatuar dhe vendosur 8073 masa administrative, të cilat arrijnë një vlerë prej 4 milionë e 777 mijë lekë. Sipas policisë, nga analiza rezulton se gjobat më të shumta janë vendosur brenda qytetit, rreth 5684 gjoba, me vlerë 4 milionë e 221 mijë lekë. Ndërsa jashtë vijës së verdhë janë vendosur 2389 gjoba, me vlerë 556 mijë lekë. Policia tha se gjatë javës janë pezulluar edhe 36 leje drejtimi për automjete.