Vdes kalimtari në autostradë, arrestohet autori i aksidentit
Policia e kryeqytetit arrestoi autorin e aksidentit të rëndë të ndodhur mbrëmjen e 12 shtatorit në autostradën Tiranë-Durrës, ku një person u godit fillimisht nga një motor e më pas nga dy automjete. Burime zyrtare nga policia thanë se është arrestuar 18-vjeçari Jeton Deliallisi, banues në Maminas, Durrës, për shkak se më datë 12 shtator 2009, duke qarkulluar në autostradën Tiranë-Vorë, në afërsi të fshatit Yrshek, duke drejtuar motorin tip "Gilera", pa targa, dyshohet se ka aksidentuar këmbësorin Saliko Rasim Kambolli, 70 vjeç, lindur në Korçë dhe banues në Domje, Tiranë. "Fillimisht dyshohet se i aksidentuari është përplasur nga ky motor dhe më pas është goditur dhe nga dy automjete të tjera që po qarkullonin në autostradën Tiranë-Durrës", tha policia. Sipas saj, automjeti tip "Volsvagen Sharon", me targa TR3750P, me drejtues shtetasin Avdul Besnik Zefi, 42 vjeç, banues në Sauk të Tiranës, mjet i cili pasi ka goditur 70-vjeçarin, ka ndaluar në mesin e korsisë e si pasojë është goditur nga pas nga një tjetër mjet, tip "Opel", me targa TR0699P, që drejtohej nga shtetasi Orges Vasil Çungo, 24 vjeç. Për pasojë të kësaj përplasjeje ka gjetur vdekjen e menjëhershme 70-vjeçari Saliko Kambolli, si dhe janë dëmtuar drejtuesi i motorit, Jeton Deliallisi, pasagjeri i motorit Leonard Bala, 18 vjeç, të cilët ndodhen në Spitalin Ushtarak Tiranë jashtë rrezikut për jetën, si dhe është dëmtuar lehtësisht pasagjeri në automjetin tip "Opel", 26-vjeçari Alban Brovina. "Në vendin e ngjarjes, nga grupi i posaçëm hetimor i përbërë nga shërbimet e Policisë Rrugore Tiranë, si dhe nga Specialistë të Hetimit të Aksidenteve, u kryen të gjitha veprimet hetimore dhe procedurale, ndërkohë që materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, në ngarkim të shtetasit Jeton Besnik Deliallisi, për veprën penale të ‘Shkeljes së rregullave të qarkullimit rrugor‘, parashikuar nga neni 290/1 i Kodit Penal, ndërsa shtetasi Avdul Zefi do të ndiqet në gjendje të lirë", tha policia. B. G.