E Diel, 1 Nëntor 2026

Kosova proteston ndaj protokollit EULEX-Serbi

Mijëra vetë kanë marshuar rrugëve kryesore të Prishtinës, në një protestë të organizuar nga lëvizja "Vetëvendosje", bashkë me 22 organizata të tjera joqeveritare, kundër protokollit EULEX-Serbi.

Drejtues të protestës kërkuan bojkotimin e misionit të Bashkimit Europian për sundimin e ligjit në Kosovë. Protestuesit mbanin në duar kryesisht mbishkrime kundër misionit EULEX, si: "Kosova në BE, pa EULEX", "Protokollet i shtojnë dhe trashin lidhjet e Kosovës me Serbinë", "Institucionet lejojnë, protokollet vazhdojnë", "Serbisë viza për udhëtim, Thaçit udhërrëfyes për nënshtrim". "Kjo është demonstrata e parë kundër protokolleve, jo vetëm kundër protokollit për bashkëpunim policor. Ne do të bëjmë aksione protestuese, demonstrata edhe në të ardhmen, për shkak se jemi kundër trashjes dhe shtimit të lidhjeve mes Kosovës dhe Serbisë. Besojmë që nëse vazhdojmë me këto demonstrata, nëse e përhapim dhe e bëjmë gjithëpopullor kundërshtimin tonë, siç po ngjan nga pak, atëherë nuk do të mund të zbatohen protokollet. Mbase EULEX-i mund t‘i nënshkruajë atje në Beograd, por nuk do të mund t‘i zbatojë në Kosovë", deklaroi Albin Kurti, lider i lëvizjes "Vetëvendosje". "E kemi ndërmend të vazhdojmë më tutje me protesta dhe do të rrisim presionin në mënyrë që qytetari ta sabotojë EULEX-in, sepse tashmë është ashiqare që lidershipi nuk ka fuqi, duke qenë se janë të shantazhuar nëpërmjet veprimeve të tyre joligjore ta kundërshtojnë EULEX-in. EULEX-i është mjeti nëpërmjet të cilit Serbia po e kthen ndikimin në Kosovë", theksoi Avni Zogiani, drejtues i organizatës "Çohu". Protokolli i bashkëpunimit policor EULEX-Serbi është nënshkruar të premten e kaluar, pavarësisht kundërshtimeve të institucioneve dhe opinionit në Kosovë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›