E Shtunë, 31 Tetor 2026

Konflikti për tokën i merr jetën bashkëfshatarit

MALLAKASTËR/ Aliko Malaj është qëlluar tri herë me armë zjarri nga 60-vjeçari Përparim Merkaj pas një debati


MALLAKASTËR - Një konflikt pronësie i cili vazhdonte prej vitesh ka shkaktuar dje një viktimë. Aliko Malaj, 69 vjeç, ka ndërruar jetë pasi është qëlluar tri herë me pistoletë nga Përparim Merkaj.


Ngjarja ka ndodhur mesditën e djeshme, ndërsa policia ka vënë në pranga autorin e ngjarjes, i cili mësohet që të ketë pranuar krimin e kryer, ndërsa ka rrëfyer përpara oficerëve të policisë gjyqësore se shkak ka qenë një debat për tokën ku viktima kishte ndërmend të ndërtonte një stallë lopësh.


Ngjarja


Rreth orës 14:30 të së mërkurës, Përparim Merkaj është nisur për tek toka, të cilën ai pretendonte se ishte pronë e tij. Në këtë kohë 60-vjeçari ka parë se tre persona po punonin në të duke afruar blloqe betoni, qëllim i së cilës mësohet të ketë qenë ndërtimi i një stalle lopësh.


Fillimisht ai ka debatuar me punëtorët, ndërkohë që më pas është afruar bashkëfshatari i tij Aliko Malaj. Me këtë shtetas ai është grindur ku secili pretendonte pronësinë mbi tokën.


Por më tej debati ka degraduar dhe Merkaj ka nxjerrë një armë tip TT që e kishte me vete dhe me të ka qëlluar tri herë në trup 69-vjeçarin. Pasi ka parë që Malaj ka rënë përtokë, ai është nisur për t'u kthyer për në banesën e tij në fshatin Poçem, rreth 20 kilometra larg qendrës së Ballshit.


Arrestimi


Burimet zyrtare të bluve në Fier shprehen se menjëherë pas mësimit të ngjarjes, janë ngritur postblloqe për të penguar një arratisje të mundshme të autorit, pasi dyshonin se ai mund të dilte në rrugë nacionale e të largohej me mjete. Ndërkohë, një grup i është drejtuar banesës së Përparim Merkajt.


Prangosja e tij është bërë e mundur vetëm pak metra larg shtëpisë së 60-vjeçarit. Mësohet se ai nuk ka bërë asnjë lloj rezistence ndaj forcave blu, ndërsa ka dorëzuar edhe armën e zjarrit tip TT, me të cilën kreu vrasjen dhe që e mbante pa leje.


Pistat


Burime zyrtare të policisë së Fierit shprehen se konflikti për sipërfaqen e tokës ku ndodhi edhe ngjarja e rëndë kishte disa vjet që kishte nisur mes dy personave.


Sipas burimeve konfidenciale policore, mësohet se gjatë marrjes në pyetje autori i ngjarjes e ka pranuar krimin. Ai ka pohuar se Malaj po kryente ndërtim në tokën që ai pretendonte se ishte toka e tij.


"Nuk mund ta duroja këtë gjë dhe zgjidhje nuk po gjeja, kështu që pasi e humba kontrollin, e qëllova. Edhe pse kisha debatuar disa herë me Alikon, ai nuk hiqte dorë, duke më thënë se toka ishte e tij dhe aty mund të ndërtonte çfarë të donte",- mësohet të jetë shprehur 60-vjeçari i marrë në pyetje.


Ndërkohë, burime nga vendi i ngjarjes shprehen se autori i ngjarjes është qëlluar fillimisht me kosore në kokë, ndërsa më pas janë dëgjuar krisma armësh. Megjithatë, ende një detaj i tillë nuk është konfirmuar nga uniformat blu.

 

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›