E Diel, 1 Nëntor 2026

Zv.ministri i Transporteve i pandehur, kundërshtoi dhe fyu policinë

Kreu i Partisë së Ballit Kombëtar, Adriatik Alimadhi dhe zëvendësja e tij u denoncuan nga policët e rendit


TIRANË- Kryetari i Partisë së Ballit Kombëtar, njëkohësisht zv.ministër i Transporteve dhe Punëve Publike, shtetasi Adriatik Alimadhi dhe zv.kryetarja e kësaj partie, Majlinda Toro, shkojnë në gjykatë me cilësinë e të pandehurve.


Shkak për këtë, sipas prokurorisë së Tiranës që ka hetuar çështjen pas relatimit të Komisariatit të Policisë Rrugore, ka qenë fakti se dy drejtuesit e lartë të PBK-së kanë kryer tri vepra penale.


Sipas dosjes së dërguar në gjykatë, me nr. e çështjes 1260 të datës 7 maj 2009, të pandehurit Adriatik Alimadhi dhe Majlinda Toro kanë kryer veprat penale të "kundërshtimit të punonjësve të policisë së rendit publik"; "fyerjes për shkak të detyrës" dhe "mosbindjes ndaj urdhrit të punonjësve të policisë së rendit publik".


Këto vepra penale, sipas akuzës, janë konsumuar nga dy të pandehurit Alimadhi e Toro në kohën që efektivët e policisë rrugore i kishin ndalur në rrugë dy të pandehurit që po udhëtonin me një makinë për një kontroll rutinë, ku janë përballur me fyerje dhe kundërshtime të dy krerëve të lartë të Partisë Balli Kombëtar.


E gjithë ngjarja ka ndodhur në një nga rrugët kryesore të kryeqytetit, ku efektivët e policisë e kanë argumentuar dhe raportuar të gjithë ngjarjen në raporte ditore. Më pas e kanë depozituar kallëzimin ndaj tyre për fyerje, kundërshtim dhe mos bindje të urdhrave të efektivëve të policisë.


Pas dorëzimit të dosjes në kryesekretarinë e Gjykatës së Shkallës së Parë, dosja është hedhur në short elektronik, nga ku është caktuar gjyqtari Artan Broci për shqyrtimin e kësaj dosjeje dhe gjykimin e dy të pandehurve, partia e të cilëve tashmë ka hyrë në koalicion me Partinë Demokratike në zgjedhjet e 28 qershorit të këtij viti.

 

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›