E Shtunë, 31 Tetor 2026

Konflikti për tokën, plagos dy vetë

Konflikte të lindura nga probleme pronësie kanë çuar në plagosjen e dy personave dje në rrethin e Lushnjës.

LUSHNJE/MAJLINDA RAMA

 Ngjarjet kanë ndodhur në fshatrat Grabian, ku një 53-vjeçar është plagosur me armë gjahu dhe në Divjakë, ku një 35-vjeçar është plagosur me thikë. Policia ka bërë arrestimin e dy autorëve, ndërsa bëhet e ditur se gjendja e të plagosurve ka qenë e rëndë për shkak të humbjes së sasisë së madhe të gjakut prej tyre. Sipas policisë, Maksim Premçi, 53 vjeç, është qëlluar me armë gjahu nga bashkëfshatari i tij, Hysni Çela, 64 vjeç. Konflikti mes dy bashkëfshatarëve kishte filluar prej disa kohësh për pronësinë e një toke bujqësore. Familja Çela kishte një parcelë bujqësore pranë banesës së familjes Premçi. Kjo parcelë, e cila shfrytëzohej prej vitesh nga familja Çela, në dokumentacionin kadastral, figuronte e regjistruar si pronë e Maksim Premçit. Ky ka qenë strumbullari i debateve të herëpashershme dhe të shpeshta mes dy familjeve, në të cilat nuk kanë munguar edhe kërcënimet nga të dyja palët. Ndërsa ajo që ka ndezur gjakrat ditën e djeshme ka qenë futja e një traktori për lërimin e kësaj parcele nga ana e familjes Premçi. Sapo ka mësuar për këtë veprim kryefamiljari i familjes Çela, duke marrë me vete çiften që përdorte për gjah, ka rendur drejt parcelës. Pasi ka mbërritur aty ai ka filluar të replikojë ashpër me Premçin. Sipas të pranishmëve në vendngjarje, ai ka pohuar përpara Premçit se nuk i interesonte se e kujt ishte ligjërisht toka. "Pronar i tokës është ai që e ka punuar prej vitesh", është shprehur ai. Në këtë moment me tone tepër të ashpra dhe fyese, Premçi i ka sugjeruar Çelës të largohet me të mira, sepse këtë copë tokë ai e ka marrë në bazë të ligjit. Në këto momente ai ka qëlluar me çifte drejt tij duke i shkaktuar plagë të rënda. Mësohet se e lajmëruar nga dëshmitarë të ngjarjes për në vendngjarje janë nisur forca të policisë. Ndërsa është transportuar me urgjencë për në spitalin e qytetit të Lushnjës i plagosuri. Burime spitalore bënë të ditur se gjendja e tij shëndetësore është kritike për jetën. Po dje një tjetër plagosje për motive pronësie ka ndodhur në fshatin Divjakë të rrethit të Lushnjës. Burime policorë bënë të ditur se, mesditën e djeshme nga konfliktimi i dy personave me njëri-tjetrin ka mbetur i plagosur një 35-vjeçar. Burimet pohuan se, Eduard Gjuzi, banor i Divjakës, ka qëlluar me thikë në shpatull dhe në bark, bashkëfshatarin e tij Besim Aleni. Bëhet e ditur se, shkak i kësaj përplasjeje ka qenë një rrugë që kalonte në pronën e Gjuzit. Me motivimin se "ishte tokë e tij" ai e kishte bllokuar këtë rrugë duke penguar kështu kalimin e banorëve, një ndër ta edhe viktima Aleni. Gjuzi dhe Aleni janë konfliktuar edhe herë të tjera për këtë problem. Pas ngjarjes, 35-vjeçari është dërguar në spital, ndërsa mësohet se gjendja e tij është e rëndë. Burimet e policisë pohuan se, të dy autorët e ngjarjeve të mësipërme janë arrestuar dhe se ndaj tyre rëndon akuza e "plagosjes".

Konfliktet e pronësisë
Mësohet se dy konfliktet e ndodhura dje në Divjakë dhe në Grabian të rrethit të Lushnjës, nuk ishin të parat për protagonistët e tyre. Sipas banorëve të dy fshatrave autorët e plagosjeve të djeshme dhe viktimat e tyre janë përballuar edhe herë të tjera për të njëjtin problem. Ata bëjnë të ditur se shkaqet kryesore që çojnë në konflikte për pronën në këto fshatra janë ndarja jo e drejtë e tokës nga komisioni i komunës.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›