Konflikti, qeveri- vendorë, Shalsi: Informuam ndërkombëtarët
TIRANË- Pas përplasjeve mes qeverisë dhe pushtetit vendor për ligjin e taksave dhe buxhetet, të zgjedhurit lokalë të opozitës kanë informuar ndërkombëtarët për gjithë sa po ndodh. Lajmin e ka bërë me dije eputeti i Partisë Socialiste, Eduard Shalsi, i cili deklaroi sot se të zgjedhurit lokalë të opozitës kanë informuar Kongresin e Autoriteteve Lokale të Këshillit të Europës për cenimin e autonomisë vendore nga qeveria.
"Kryeministri Berisha flet për demokracinë vendore, ndërkohë që po u merr frymën buxheteve të bashkive dhe komunave me ligje antikushtetuese"- tha Shalsi gjatë një konference për shtyp.
Nga ana tjetër po sot, Berisha ishte i pranishëm në ceremoninë e organizuar në kuadër të Javës Evropiane të Demokracisë Lokale ku garantoi se "qeveria do të shumëfishojë financimet për vendorët dhe shprehu bindjen se "çelësi i vërtetë i një qeverisjeje eficente qëndron te decentralizimi i pushtetit".
9 tetor
Taksat, vendorët dërgojnë qeverinë në Kushtetuese
TIRANË- Ndryshimet më të fundit të miratuara nga Kuvendi për uljen e disa taksave vendore dhe ndryshimi i destinacionit të derdhjes së tyre nga arka e pushtetit lokal në atë të pushtetit qendror kanë alarmuar një sërë drejtuesish të bashkive dhe komunave në vend. Për të ndalur zbatimin e dispozitave të miratuara tashmë, të zgjedhurit nën siglën e Partisë Socialiste do t'i drejtohen Gjykatës Kushtetuese duke kërkuar papajtueshmërinë me ligjin themeltar të vendit. Kreu i Bashkisë së Tiranës, zhvilloi dje një mbledhje me drejtues socialistë nga gjithë Shqipëria ku deklaroi edhe qëndrimin që do të mbahet ndaj asaj që ai e quajti dhunim të pushtetit lokal nga qeveria. "Është koha për të ndërmarrë hapa të tjerë, është koha për të ndërmarrë një rrugë paralele me rrugën e ankimimit në Gjykatën Kushtetuese, ndaj masave të fundit të këtij pushteti të korruptuar dhe korruptues që është kthyer në një pengesë reale për zhvillimin normal dhe real të Shqipërisë", - tha Rama.
Dy javë më parë, Kuvendi miratoi një serë ndryshimesh në sistemin e taksave që vilen nga pushteti lokal. Një nga ndryshimet që ndikon së tepërmi në zvogëlimin e buxhetit të bashkive dhe të komunave është ai për taksën e tabelës për qëllime identifikimi. Në bazë të ligjit, zbatimi i kësaj takse në Bashkinë e Tiranës është në nivelet 150 lekë në vit për tabelat në gjuhën shqipe dhe 3.000 lekë për tabelat në gjuhë të huaj. Por me ndryshimet më të fundit, ajo unifikohet në një euro pavarësisht gjuhës së shkruar.
Gjatë fjalës së tij kreu i Bashkisë së Titanës Edi Rama bëri një paralelizëm midis qeverisjes së sotme të Kryeministrit Berisha dhe asaj gjatë periudhës së diktaturës komuniste. "Si ka mundësi që në mes të Europës, në shekullin e 21-të, kur po mbaron 10 vjeçari i parë, qeveria qendrore të bëjë veprime që e bëjnë atë të ngjashme si dy pika uji, me qeverinë e Enver Hoxhës, duke trajtuar bashkitë e komunat e vendit e të zgjedhurit e popullit si vartës dhe madje, duke ua kufizuar përgjegjësitë e tyre, shumë më zi se në kohën e vetë Enver Hoxhës. Ne u kemi premtuar qytetarëve qytete të pastra dhe qytetet pastrohen me kontributet e qytetarëve, përmes tarifave vendore të pastrimit", - theksoi ai duke shtuar se, kjo nuk është hera e parë që bashkitë i janë drejtuar Gjykatës Kushtetuese madje duke dalë edhe të fituar. "Pavarësisht thyerjes së hundëve në Gjykatën Kushtetuese disa herë rresht, kjo qeveri dhe ky zotëri që e drejton këtë qeveri nuk zmbrapsen në përpjekjet e vazhdueshme për ta tkurrur autonominë vendore, për ta kthyer pushtetin vendor në njësi komunale të vendit, për të mos lejuar bashkitë e vendit, por edhe komunat që të zhvillohen lirisht", - tha ai.
Pas dërgimit të çështjes në Kushtetuese, drejtuesit socialistë të bashkive dhe komunave të vendit deklarojnë se do t'i drejtohen edhe institucioneve ndërkombëtare për ndalimin e zbatimit të ndryshimeve të miratuara nga kuvendi. "Ne do të ngremë zërin tonë kudo në Europë, në KE, në Kongresin e Autoriteteve Lokale Rajonale, ne do ta ngremë zërin tonë në çdo skaj të Shqipërisë, sepse kjo histori e pafund duhet të marrë fund, dhe ne jemi të vendosur t'i japim asaj fund me çdo çmim",- tha Rama.
29 shtator
Rama: Berisha po zbraz arkën e pushtetit vendor
TIRANE - Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Edi Rama, reagoi për ligjin e taksave që miratoi Kuvendi, duke akuzuar Kryeministrin Berisha se po zbraz arkat e pushtetit vendor për të mbushur gropën e zezë të buxhetit të shtetit. "Një kryeministër i paaftë, delirant dhe i pandreqshëm s'mund të zhbëjë autonominë vendore", tha Rama.
Rama i bëri thirrje sot Berishës të ndalë sulmin ndaj financave pasi do të hasë në rezistencën e pushtetit lokal. "Përfitoj nga rasti që ti bëj një paralajmërim kryeministrit, pas sulmit të pandalshëm ndaj financave ta ndalë pasi do të ndeshë në një rezistencë e refuzim që unë nuk do ta dëshiroja, si një pjesë tjetër e jetës shoqërore në Shqipëri që është në krizë të gjithanshme", u shpreh Rama.
Sipas tij, Berisha më kot përpiqet të mbushë arkën e shtetit duke vjedhur atë të vendorëve. "Është e patolerueshme që një njeri i papërgjegjshëm e i paaftë, delirant i pandreqshëm të zhbëjë atë që është ndërtuar në gjithë këto vite, dhe të zbrazë arkat e pushteteve vendore dhe pushteteve te vendit që të mbushë atë që nuk mund të mbushë më, buxhetin e shtetit që u zbraz si rezultat i të gjitha abuzimeve dhe shpërdorimeve të gjithanshme dhe politikave të tij shkatërruese, të cilave shqiptarët, po ua dëgjojnë dhe dua tua dëgjojnë përditë e më shumë krismën", u shpreh Rama në një prononcim të shkurtër për mediat, gjatë inspektimeve të punimeve që po bën Bashkia tek Liqeni Artificial i Tiranës.