Konflikti qeveri-Glover, në Tiranë vijnë shefi i Asamblesë së OSBE-së dhe tre lordë britanikë
Eljona Ballhysa
Institucionet ndërkombëtare janë treguar të ndjeshëm ndaj konfliktit të fundit të krijuar nga qeveria shqiptare, e cila kundërshtoi shefen e misionit të ODHR-it, Odrei Glover, për monitorimin e zgjedhjeve në Shqipëri. Gjatë ditës së djeshme në Tiranë ka mbërritur kryetari i Asamblesë Parlamentare të OSBE-së, Zhoao Soares, i cili ka zhvilluar takime me Presidentin e Republikës dhe me personalitete të qeverisë shqiptare. Po gjatë ditës së djeshme në Shqipëri kanë mbërritur tre anëtarë të Dhomës së Lordëve të Parlamentit Britanik, të cilët kanë zhvilluar takim me presidentin Topi. Kryetarja e misionit të vëzhguesve, Odrei Glover, mban postin e ambasadores britanike në Shqipëri, pas largimit të z. Fraser Uillson. Glover, me marrjen e kësaj detyre, nuk është pritur në asnjë takim të nivelit të lartë me përfaqësues të qeverisë shqiptare. Por vizitat e nivelit të lartë ndërkombëtar, ajo e kryetarit të Asamblesë Parlamentare të OSBE-së dhe e përfaqësuesve të Dhomës së Lordëve të Britanisë i japin një mesazh të qartë qeverisë shqiptare përsa i përket shefes së misionit të ODIHR-it.
Qëndrimi
Kryetari i Asamblesë Parlamentare të OSBE-së, Soares, gjatë takimit me presidentin Topi është shprehur se “OSBE-ja po ndjek me vëmendje të gjitha proceset që po ndodhin në Shqipëri”. Ndërsa gjatë takimit me ministrin e Jashtëm Lulzim Basha, Soares është shprehur se “misioni i vëzhgimit është në përputhje me mandatin e Asamblesë për monitorimin e zgjedhjeve parlamentare në vendet anëtare të OSBE-së dhe në përgjigje të ftesës së qeverisë shqiptare për dërgimin e një numri sa më të madh vëzhguesish ndërkombëtarë për monitorimin e zgjedhjeve të 28 qershorit, Asambleja Parlamentare do të dërgojë së shpejti në Shqipëri misionin e saj të vëzhgimit”.
Ndërsa përsa i përket kërkesës së Shqipërisë për të marrë Kryesinë e radhës së OSBE-së në vitin 2012, Soares u shpreh se ky është një hap shumë i rëndësishëm për Shqipërinë.
Ministri Basha dhe presidenti Topi e kanë informuar përfaqësuesin e lartë të OSBE-së mbi përgatitjet që po bëhen për zgjedhjet parlamentare të 28 qershorit. “Inkurajimi i qytetarëve për të aplikuar për marrjen e kartave të identitetit, - ka vërejtur presidenti Topi, - është mjaft i rëndësishëm jo vetëm për t’u dhënë mundësi të gjithë qytetarëve për të ushtruar të drejtën e votës, por edhe për t’u identifikuar e përfituar shërbime të tjera”, - është shprehur Topi. Duke vërejtur se zgjedhjet e 28 qershorit janë prova më e madhe për Shqipërinë pas anëtarësimit në NATO, Presidenti i Republikës shprehu bindjen “se zgjedhjet e 28 qershorit do jenë një hap i ri i mëtejshëm i Shqipërisë drejt familjes së madhe europiane”.
Lordët
Zgjedhjet parlamentare të 28 qershorit kanë qenë tema e bisedimeve mes presidentit Topi dhe tre anëtarëve të Dhomës së Lordëve të Parlamentit britanik. Gjatë këtij takimi presidenti Topi nënvizoi rëndësinë që kanë për Shqipërinë dhe imazhin e saj, zgjedhjet parlamentare të 2009-s, si tregues i një stabiliteti të konsoliduar politik në vend, duke shprehur bindjen se “zgjedhjet e 28 qershorit do të jenë pa dyshim të lira, të ndershme dhe të pakontenstuara”. Vizita e lordëve britanike nuk duket aspak e rastësishme. Ata kanë ardhur në kulmin e debatit politik mbi kundërshtimin që qeveria i bëri ambasadores britanike Glover. Qëndrimi hakmarrës i kryeministrit Sali Berisha ka lidhje me raportin që ambasadorja britanike Odrei Glover hartoi në vitin 1996, ku i cilësoi zgjedhjet parlamentare të atij viti si të manipuluara. Në atë kohë Glover ishte në të njëjtën detyrë që ka aktualisht, pra atë të shefes së misionit të vëzhguesve të ODIHR-it në Shqipëri. Zgjedhjet problematike të majit 1996 krijuan një klimë të vështirë me vëzhguesit e ODIHR-it në atë kohë dhe raporti vlerësues i kësaj organizate u cilësua nga e djathta në pushtet si jo realist. Pikërisht përplasja e atyre viteve ka bërë që po kjo e djathtë, e cila është sërish sot në pushtet, ta kundërshtojë emërimin e ambasadores Glover.
16 Maj 2009