Ndoka në Lezhë prezanton Ndue Shpanin dhe premton taksa të ulëta për biznesin
Kryetari i PDK-së, Nard Ndoka, ka prezantuar dje në Lezhë kandidatin për deputet të këtij qarku, Ndue Shpani. Gjatë fjalës së tij Ndoka bëri dhe një analizë të situatës politike për këtë zonë. Sipas Ndokës, Lezha, edhe pse në vitin 2005 ka zgjedhur 2 deputetë të PD-së për t’i përfaqësuar, ajo realisht është lënë në harresë prej tyre. “Një prej deputetëve përballet me probleme me Drejtësinë sa i përket tragjedisë së Gërdecit, ndërsa tjetrin e luftojnë në qendër sikur të ishte deputet i opozitës. Është fakt që Lezha një qytet me bukuri dhe resurse të jashtëzakonshme sa i përket turizmit është sot thuajse në fund të listës, pasi përfaqësuesit e saj të derisotëm më shumë janë kujdesur për të favorizuar miqtë e tyre dhe klanet partiake, sesa qytetarët”, - është shprehur Ndoka. Në emër të PDK-së dhe koalicionit “Poli i lirisë”, ku bën pjesë kjo parti, Ndoka premtoi uljen e taksave për bizneset turistike. “PDK dhe Poli i Lirisë vjen me premtime konkrete për qytetin e Lezhës. Pika e parë e vendimeve tona nesër në Parlament dhe në qeverisje do të jetë vendimi që çdo familje që zhvillon biznes turistik të përjashtohet 5 vjet nga taksat. Kjo do t’i jepte një frymëmarrje biznesit, do të nxiste punësimin dhe do të mundësonte përmirësimin e ndjeshëm të kulturës së shërbimit dhe zhvillimit të turizmit”,- tha Ndoka.
16 Maj 2009