E Diel, 1 Nëntor 2026

Konflikti, vritet me armë zjarri 33-vjeçari në Fushë-Krujë



Një 33-vjeçar është vrarë me armë zjarri në Fushë-Krujë. Indrit Çela ka humbur jetën, pasi është qëlluar nga Lulzim Çela me automatik tip “kallashnikov”. Ngjarja ndodhi ditën e djeshme në fshatin Arameras, pas një përplasjeje mes viktimës dhe autorit të krimit. Sipas burimeve nga policia, duket se shkak i kësaj ngjarjeje ka qenë një konflikt i lindur mes dy personave për motive pronësie. Në vendngjarje ka shkuar edhe policia, e cila ka nisur nga puna për zbardhjen e rrethanave. Burime nga uniformat blu shprehen se ka qenë viktima që ka qenë i armatosur me armë dhe ka tentuar që të vrasë të riun, i cili është konfrontuar dhe ka qëlluar më pas Indrit Çelën. Plagët e marra kanë qenë fatale për 33-vjeçarin, i cili ka humbur jetën, si pasojë e humbjes së gjakut. Sipas policisë, autori e ka kryer vrasjen për vetëmbrojtje, pas përpjekjes së viktimës për ta qëlluar me armë. Rreth orës 10 të ditës së djeshme, Indrit Çela ka shkuar i armatosur me kallashnikov dhe dy granata, në një lokal në fshatin Arameras. 21-vjeçari Lulzim Çela ka qenë duke qëndruar në lagjen e tij “Çela”, në një lokal. Sipas dëshmitarëve, 33-vjeçari ka shkuar në lokal me qëllim që të vrasë të riun. Megjithatë, një gjë e tillë është pikasur nga autori dhe mes të dyve ka filluar përleshja. I riu ka arritur që t’i marrë armën Indrit Çelës dhe ka qëlluar ndaj tij. Plumbat e kanë kapur 33-vjeçarin në trup. banorët e tjerë janë përpjekur që t’i japin viktimës ndihmën e parë, por ai ka humbur jetën gjatë rrugës si pasojë e plagëve të marra. Sipas policisë, autori dhe viktima nuk kishin lidhje farefisnore, pavarësisht mbiemrit të njëjtë. Në vendngjarje ka shkuar edhe policia. Agjentët kanë vënë në pranga autorin 21-vjeçar. Është ngritur një grup pune për të zbardhur rrethanat e kësaj ngjarjeje. Janë marrë dëshmitë e para nga vendi i ngjarjes, gjithashtu është sekuestruar edhe arma e krimit, një automatik i llojit “Kallashnikov”, si dhe dy granata, të cilat mbaheshin nga viktima. Sipas hetimeve paraprake, rezulton se ngjarja ka ndodhur për motive pronësie. Autori ka qëlluar ndaj viktimës për t’u vetëmbrojtur. Ai është shoqëruar për në ambientet e paraburgimit, në pritje për të dalë përpara gjykatës, për masën e arrestit.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›